Haziri: Kryengritësi Hasan Ali Remniku nuk lejoi që t’i merret atdheu, t’i vritet familja dhe t’i mohohet Zoti

Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës – Dega në Gjilan, njëherësh nënkryetar në nivel qendror, Lutfi Haziri, së bashku me Valentina Bunjaku – Rexhepin, Lirije Kajtazin, Avdyl Aliun, Marigona Gecin e Krenar Xhaferin, kanë marrë pjesë në përurimin e shtatores së kryengritësit të madh për lirinë e shqiptarëve, Hasan Ali Remniku, në Viti.

Pas 73 vjetësh të rikthimit të Hasan Alisë në Viti, kryetari Haziri e ka vlerësuar lart figurën e tij, gjatë fjalimit para të pranishmëve.

Hasan Ali Remniku nuk lejoi që t’i merret atdheu, t’i vritet familja dhe t’i mohohet Zoti.

Ai u kryengrit deri në sakrificë për t’u shndërruar në legjendë, së bashku me kryengritësit tjerë të kohës, Mustafë Koka, Ymer Myqibaba, Bejtë Pireva e vullnetaret e Karadakut e Gollakut, të cilët u udhëhoqën nga tre kolosë që bashkuan tri epoka, Idriz Seferi, Mulla Idriz Gjilani e Agim Ramadani.

Figurat e kryengritësve tanë nuk janë zbardhur e as vlerësuar në nivelin çfarë e meritojnë, dhe Republika e Kosovës e ajo e Shqipërisë ua kanë për borxh vlerësimin meritorë.

Nuk do të ndalemi udhës për të jetuar të bashkuar nën një qiell shqiptar të na ngrohë një diell.

Ne jemi krenarë që e patëm një kolos e kryengritës për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve.

Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së tij Hasan Ali Remnikut, ka thënë kryetari z. Haziri.