Haziri: Kurti po ndjek një politikë të stilit “një hap para, dy prapa”
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se kryeministri Kurti po ndjek një politikë të stilit “një hap para, dy prapa”, por se kjo praktikë atë s’e befason.
“Po, kemi dëgjuar për pranim me gjashtë kushte. Kishte edhe platformë me 6 pika më herët. Po befasohen ata që nuk po e shohin politikën e “një hapi para e dy prapa”. Ky ishte hapi para dje nga z.Kurti dhe presim”, tha ai për Express.
Gjithashtu, Haziri thotë se qëndrimi i LDK-së dhe konsensusi i saj për dialogun është që marrëveshja përfundimtare të ketë njohjen në qendër dhe që Qeveria të jetë e koordinuar me aleatë.
“Në vlerësimin tonë, të anëtarësisë sonë, Kosovës nuk i duhet një marrëveshje bazë që nuk e përmban njohjen. Vendit tonë i duhet një marrëveshje përfundimtare që në thelb ka njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve – si shtete të pavarura e sovrane. Çdo devijim nga ky orientim strategjik është papërgjegjësi e pariparueshme e Qeverisë aktuale. Në këtë proces, koordinimi i ngushtë me aleatë mbetet jetik për të ardhmen euroatlantike të vendit tonë”.

