Haziri nderon me mirënjohje disa nga personalitetet e njohura të Gjilanit

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka nderuar sot me mirënjohje personalitete të ndryshme, të cilët kanë bërë shumë për Gjilanin dhe Republikën.

Avokat Shemsedin Pira u nderua për gatishmërinë dhe kurajon profesionale e në veçanti për kontributin në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të individëve në misionin fisnik të avokatisë.

Dëshmori Mehmetali Behluli është nderuar me mirënjohje post-mortum, për kontributin e dhënë kauzës kombëtare dhe sakrificën deri në flijim për lirinë e vendit.

Hafëz Alush Kadriu u nderua për kontribut të vazhdueshëm në të mirë të vendit e në veçanti për shërbim shembull gjatë kohës së okupimit.

Fatmir Shurdhani u nderua për angazhim dhe kontribut të dhënë në organizimin dhe mbështetjen e personave me aftësi të kufizuar.

Pajazit Isufi u nderua post-mortum për kontribut të vazhdueshëm dhënë në dobi të komunitetit.

Tefik Mustafa u nderua post-mortum për kontributin e dhënë për liri, pavarësi dhe demokraci të vendit.

Ndërkaq, kreu i Gjilanit, ka ndarë mirënjohje edhe për shoqatën ‘Pogragja’ me seli në Zvicër, në vlerësim të kontributit të vazhdueshëm për komunitetin.