Haziri: Nesër do të dëshmohet – Kurti opozitar e kundërshtues apo Kurti pranues e ndarës de jure i një pjese të Kosovës
Nënkryetari i parë i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur para takimit të nesërm Kurti-Vuçiq, ku është paralajmëruar nënshkrim i marrëveshjes për normalizim të raporteve, si pjesë e planit franko-gjerman, raporton mediafokus.info.
Nërpmjet një postimi në Facebook, Haziri ka shkruar se nëse krijohet Asociacioni pa njohjen nga Serbia, atëherë i bie që Kosova po jep gjithçka, për kurrgjë.
“Do ta këtë nesër ditën për të dëshmuar se cili Kurti do të jetë në funksion – Kurti opozitar, kryeministër e kundërshtues apo Kurti pranues e ndarës de jure i një pjesë të Kosovës”, ka shkruar përpos tjerash Haziri.
Postimi i plotë:
Nëse krijohet Asociacioni pa njohjen nga Serbia, atëherë i bie që Kosova po jep gjithçka, për kurrgjë. Në këtë mënyrë, Kosova ka me dalë ‘e lënduar’ prej procesit.
Sa për rikujtim, çështja e Asociacionit ka qenë pjesë edhe e bisedimeve në Vjenë dhe ne kemi arritur me pragmatizëm politik ta eliminojmë, ta heqim prej tavolinës.
Pyetja se a po kalon ‘Zajednica’ tashmë është evidente në kuadër të planit franko-gjerman, duke e pasur kryeministër politikanin më jokonsistent në qëndrime që ka pasur Kosova. Do ta këtë nesër ditën për të dëshmuar se cili Kurti do të jetë në funksion – Kurti opozitar, kryeministër e kundërshtues apo Kurti pranues e ndarës de jure i një pjesë të Kosovës.
A do të mbetet Mister No apo jo, do të provohet për herë të parë nesër.

