Haziri: Nuk e lë Gjilanin pa e përfunduar mandatin

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri nuk preferon ta dërgojë Gjilanin në zgjedhje të parakohshme për kryetar komune dhe të kandidojë për kryeministër në zgjedhjet që po vijnë.

Haziri mban mandatin e katërt të kryetarit të Komunës në Gjillan.

‘Unë jam i gatshëm të marr përgjegjësi, por pa dërguar Gjilanin në zgjedhje të jashtëzakonshme’, ka thënë Haziri në Rtv Dukagjini.

Lutfi Haziri që konsiderohet si njëri nga njerëzit më me peshë në LDK është përfolur si kandidat i mundshëm për kryeministër.

Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka dalë me një emër se kush do t’i prijë listës në zgjedhjet që do të mbahen.

Emra të tjerë që janë përfolur si kandidatura të mundshme për shef qeverie janë edhe kryeministri aktual Avdullah Hoti, deputeti Kujtim Shala, ish-ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku dhe ministri i Mbrojtjes, Anton Quni.

Aktualisht partia më e vjetër në Kosovë është duke zhvilluar debat të brendshëm me strukturat partiake dhe kanë paralajmëruar se shumë shpejt do ta propozojnë edhe kandidatin për kryeministër.

Nënkryetari tjetër i LDK-së, Agim Veliu mbrëmë në Pressing të T7 ka mohuar se ai do të jetë kandidat për kryeministër teksa ka shtuar se Kujtim Shala është emër i respektuar dhe mund të jetë njëri nga kandidatët.

Ministri aktual i punëve të Brendshme ka thënë poashtu LDK-ja do të garojë për vendin e parë.

“Në çdo proces zgjedhor nuk është i lehtë kam përshtypjen që tepër është zmadhuar në raport me LDK. Nuk besoj që diçka e pamundur që LDK të mobilizohet dhe të luftojë në procesin e ardhshëm zgjedhor i cili është në prag, Nuk është e pamundur që LDK të luftojë për vendin e parë pse jo?”, ka thënë ai.