Haziri:  Partitë tona janë ‘fabrika të llafeve’, vazhdimisht kërkohet fajtori

Nënkryetari i parë i LDK’së, Lutfi Haziri, ka thënë se partitë politike në Kosovë sikur ‘fabrika të llafeve’, raporton Meddiafokus.info.

Kjo logjikë e gjetjes së fajtorit, sipas Haziri, duhet të largohet.

“Fatkeqësisht, partitë tona janë ‘fabrika të llafeve’, ku vazhdimisht kërkohet fajtori për ta ‘gozhduar’. Kjo kulturë e të bërit me gisht duhet të largohet dhe të ndërtohet një logjikë uniteti. Jam i bindur se nëse punojmë me uniteti, LDK do të jetë befasia më e madhe e zgjedhjeve të vjeshtës”, tha Haziri në emisionin “Desku”, transmeton Mediafokus.info.

Ai theksoi se LDk duhet patjetër të hyjë në një proces reformues në të gjitha nivelet.

“LDK duhet të hyjë në një proces reformues të pakthyeshëm në të gjitha nivelet. Në këtë situatë nuk është e lehtë sepse për herë të parë e kemi humbjen historike dhe është hera e parë që e majta ideologjike e ka marrë besimin e popullit”, tha ai, teksa pohoi se LDK duhet të ‘zhvishet nga enklavat politike’.

“Ne duhet të zhvishemi nga enklavat politike, në kuptimin e kërkimit të shpëtimtarëve politikë. Ne do të luftojmë që t’i rikthejmë bastionet tona, por fitorja në Komunat ku kemi qenë edhe më herë fitues, domethënë fitore e betejave të vogla. LDK duhet ta ruaj atributin e partisë urbane, duhet shtrihet fuqishëm në kuptimin e ndikimit të madh dhe të rikthehet kultura elitare politike”, ka thënë Haziri./Mediafokus.info/