Lutfi Haziri pas takimit për buxhetin: Ne e duam Gjilanin më shumë se partinë

Kryetari i LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, është deklaruar pas takimit të përbashkët me kryetarin e VV-së në këtë komunë, Alban Hyseni dhe atë të PDK-së, Riad Rashiti, i cili është organizuar nga kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Kushtrim Kadriu, me qëllim të zhbllokimit të buxhetit të kësaj komune.

Haziri ka thënë se “Ne e duam Gjilanin më shumë se partinë”.

Postimi i plotë i Hazirit:

Ne e duam Gjilanin më shumë se partinë

Këtë e kemi dëshmuar në vazhdimësi. E falënderoj kryesuesin e Kuvendit, z. Kushtrim Kadriu për ftesën dhe përpjekjen e tij për t’i shafitur dallimet sa i përket buxhetit të Gjilanit, përkundër që kati i parë ku është ekzekutivi, nuk është koordinuar dhe ka vepruar gjithmonë njëanshëm me shpërfillje, me lehtësi të padurueshme ndaj katit përdhesë, ku është Kuvendi i Komunës.

LDK, si partia më e madhe në Kuvendin Komunal, tash e tri vite e ka dëshmuar në vazhdimësi konstruktivitetin për të mirën e përgjithshme dhe i përgëzoj edhe partitë tjera opozitare për konstruktivitetin e treguar.

LDK rikonfirmoi sot, për të satën here, se buxheti duhet të zbatohet sipas ligjit e në përputhje me udhëzimet e ministrit të MAPL, z. Elbert Krasniqi, i cili, në përgjigjen ndaj kërkesës së paligjshme të ekzekutivit të Gjilanit, ua ka ‘vizatuar’ këtyre të fundit se si duhet të përgatitet e miratohet buxheti komunal.

Duhet të zbatohet ligji për buxhet, që nënkupton organzimin e dëgjimeve buxhetore, përfshirë e projektet e nisura e palët e interesuar për të kontribuar, ku Komiteti për Politikë e Financa dhe Kuvendi janë vendimmarrës në emër të qytetarëve.

Konsultimet e brendshme i japin oksigjen politik krejt këtij angazhimi. LDK ka dalë përtej partisë e në interes të Gjilanit, të punëtorëve shëndetësorë e arsimtarëve, duke qenë se pjesëmarrja jonë në grant të qeverisë është 4.2 milionë euro.

Dashninë që ma kanë dhënë qytetarët në vazhdimësi, do t’ua kthejë me angazhim e përgjegjësi edhe më të madhe në punë, duke qenë gjithmonë, Luta Juaj!