Haziri: Po mbahemi në terr, theksuam nevojën që Kosova të mos dënohet për paaftësinë e Qeverisë
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se opozita po mbahet në terr sa i përket draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Haziri në një deklarim për media pas takimit që zyrtarët e opozitës e kanë zhvilluar me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se drafti do të duhej të ju prezantohej së paku në parime të përgjithshme.
“Angazhimi dha ndarja e kohës me LDK-ën dhe opozitën është për t’u vlerësuar, përkundër që po vazhdojmë të mbahemi në një formë apo tjerët në terr, për shkak të moszbardhjes së dokumentit, mosbërjes transparent së paku në parime”, është shprehur Haziri.
Ai ka thënë se dialogu është e vetmja rrugë për zgjidhje të problemit dhe se situata pas 24 shtatorit kur ndodhi sulmi në Banjskë të Zveçanit ka ndryshuar, por se këtë sipas Hazirit, nuk ka arritur ta shfrytëzojë Qeveria e Kosovës.
“Por Qeveria nuk ka arritur që ta kapitalizojë këtë ambient të mirë politik, rikthimin e imazhit të Kosovës. Ne nënvizuam nevojën e largimit të masave ndëshkuese të Republikës sonë dhe nevojën që Kosova të mos vazhdojë të dënohet për shkak të dobësive të qeverisë dhe paaftësisë së Qeverisë që të nxjerrë situatat politike në interesin tonë”, ka deklaruar Haziri.

