Haziri: Renovimi i stadiumit të Gjilanit dhe autostrada kanë mbetur aty ku i kemi lënë – vit i humbur për Gjilanin nën qeverisjen e Hysenit
Ish-kryetari i Gjilanit, Lufti Haziri, në një intervistë për Gazetën Enigma ka thënë se Qeveria e Kosovës po punon ‘’sot për nesër’’, derisa qeverisjen komunale të pasardhësit të tij në pozitën e kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni, e ka quajtur ‘’një vit të humbur’’.
’Dalja nga kriza, natyrisht, do të jetë e vështirë të shihet drita në fund të tunelit sepse kriza po përcillet me mos vendosje të masave që e zbusin krizën dhe që e menaxhojnë krizën’’, tha Haziri.
Kur është pyetur për performancën e Qeverisë Kurti, nënkryetari i LDK-së ka theksuar se ‘’performanca e dobët i atribuohet krejt kabinetit në krye të të cilit është kryeministri Kurti.
‘’Fatkeqësisht, Albin Kurti po administron me Kosovën, nuk po qeveris. Qeverisja e mirë mbetet vetëm një ëndërr’’.
Haziri, ka folur edhe për projektin e renovimit të stadiumit të Gjilanit, por edhe autostradën Gjilan-Prishtinë, projekte këto që ende nuk kanë përfunduar qe një kohë të gjatë.
‘’Fatkeqësisht kanë mbetur aty ku i kemi lënë. Janë degraduar. Investitorë në programet për zhvillim janë BERZH, Banka Botërore Investimeve dhe institucionet tjera financiare ndërkombëtare, por mungesa e një menaxhimi’’, ka shtuar ai.
Nënkryetari i LDK-së ka potencuar se gjatë mandatit të kësaj qeverie nuk ka pasur njohje, por kemi pasur vetëm çnjohje.
‘’Gjashtë shtete të pacifikut, gjatë mandatit të Kurtit që nuk ia kanë konfirmuar Kosovës, por sipas burimeve të partnerëve tanë, për shkak të lobimit të Serbisë i kanë tërhequr njohjet. Sidoqoftë, ne e kemi njohjen historike të Izraelit në mandatin e LDK-së dhe aty ka mbetur puna’’.

