Haziri shfaqet i prekur: Mos i shfrytëzoni tragjeditë e njerëzve për përdorim ditor politik
Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit ka thënë sot se Gjilani po i kalon këto ditë të pandemisë edhe me peshën e dhembjes për vdekjen e një bashkëqytetari në burgun e Dubravës si dhe fatkeqësinë e familjes Maloku, raporton mediafokus.info
“Këto dy raste ia shtojnë peshën këtyre 41 ditëve te emergjencës kundër pandemisë, na shtojnë mërzinë edhe neve, megjithëse ne do të mundohemi e do të vazhdojmë me krye misionin tonë, duke i qëndruar afër secilit dhe duke ndihmuar njëri-tjetrin në këtë situatë”, ka thënë Haziri.
Sa i përket rastit të të burgosurit, i cili ishte në pritje që të lirohej këto ditë, Haziri ka thënë se i ndjeri ka qenë një fëmijë i adaptuar, i cili ishte rritur nën përkujdesjen e shtetit.
Ai ka lënë pas vete një fëmijë 4-vjeçar, i cili po ashtu është nën përkujdesje të shtetit.
Haziri tha se ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Burgjeve zbardhjen e rastit.
“Për neve, kjo është e dhimbshme dhe shpresojmë se Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Burgjeve do ta zbardhë këtë rast”, ka thënë Haziri.
Një rast tjetër i rëndë, është ai i familjes Maloku, të cilën ne do ta asistojmë për ta përballuar këtë gjendje, duke uruar që kryefamiljari i saj të shërohet.
“Komuna do ta ndihmojë familjen Maloku me përballua aktin e rëndë dhe gjendjen shëndetësore të kryefamiljarit”, ka premtuar Haziri.
Por, kryetari Haziri është shprehur i zemëruar nga përdorimi politik që po i bëhet këtij rasti nga individë të caktuar dhe ka kërkuar të mos luaj askush me tragjeditë e njerëzve në këtë gjendje pandemie.
“Fatkeqësisht kemi pa përdorim ditor politik të rastit, nga individë të caktuar, gjë që nuk i bëjnë mirë shëndetit të personit, as familjes dhe as neve”, ka thënë Haziri.
Ai kërkoi nga personat e tillë të mos luajnë me tragjeditë e njerëzve.
“Mos luani me tragjedinë e njerëzve, veçanërisht me sofrën dhe jetën e tyre”, ka thënë Haziri./mediafokus.info

