Haziri viziton Kullën e Gjinajve pas dëmtimit nga zjarri
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka vizituar sot resortin më të bukur të Karadakut dhe më gjerë, që fatkeqësisht një aneks i tij u dëmtua nga zjarri ditë më parë, ku ka thënë se të gjitha institucionet, me veprime konkrete, duhet të jenë afër pronarëve Metush e Nadire Zymberi.
“Kam vizituar resortin më të bukur dhe të jashtëzakonshëm, Kullën e Gjinajve, që për bazë ka traditën, kulturën e Karadakut dhe shqiptarëve kudo që jetojnë”, ka thë Haziri.
Ky resort është ndërtuar nga Metush dhe Nadire Zymberi, që udhëheqin edhe kompaninë e njohur Menakon në Gjilan.
Haziri i ka falënderuar ata për këtë investim që ka krijuar kushte për punësimin e një numri të konsiderueshëm të personave, por është ndjerë keq që vizita e tij ka qëlluar në moment fatkeqësie.
“Në këtë ditë të rëndë kam dashur të jem afër familjes Zymberi, për ta inkurajuar në përballimin e humbjes që i ka shkaktuar zjarri në një pjesë të madhe të këtij investimi të jashtëzakonshëm, që përbënë një nga veprat më të mëdha private të në regjionin e Gjilanit”, ka thënë kryetari.
Ai ka konfirmuar se do të jetë afër investitorëve, duke bërë thirrje që të gjendet mundësia e sanimit të kësaj fatkeqësie.
“Duhet gjetur mundësi dhe forma që të përballohet kjo fatkeqësi dhe ky dëm i madh material i Kullës së Gjinajve. Të bëhet zgjidhje e shpejt dhe normalizim i punës, sepse direkt dhe indirekt preket punësimi i rreth 100 qytetarëve, që në forma të ndryshme janë të lidhur me këtë resort”, ka thënë ai.
Haziri ka thënë se beson shumë që KEDS-i, meqë shkaktar i zjarrit ka qenë rryma, po edhe institucionet qeveritare dhe institucionet tjera do t`i gjenden afër investitorit, sikurse edhe Komuna e Gjilanit, sepse është obligim që të ndihmohet në sanimin e gjendjes dhe resorti të ri-fillojë punën dhe të vazhdojë planet zhvilimore.

