He vakt o vakt: A ju kujtohet koha e ‘kerrit me kije’
Shumëkujt prej jush ju kujtohet koha e qerres së drunjtë, të cilën fshatarët e kanë përdorur si mjet për bartjen e drurëve, drithit dhe gjësendeve tjera.
Jeta në fshat nuk ka mundur të mendohet pa një qerre si kjo, e cila tërhiqej nga qetë (kije i quante populli), shkruan Mediafokus.info
Për të lëvizur rrotat më lehtë dhe pa zhurmë, boshti lyhej me një rrëshirë katrani që quhej peshkve.
Shumicës prej jush që keni lindur në epokën e kompjuterizimit dhe digjitalizimit dhe nuk e keni jetuar atë kohë, mund t`ju duket e pabesueshme që prindërit dhe gjyshërit tuaj kanë kryer shumicën e punëve me këtë qerre të drunjtë.
Ishte kohë e qerreve të drurit. Çdo familje kishte një apo më shumë qerre të tilla, e cila punohej nga mjeshtrit e kohës, me mjete të thjeshta, por ku, pos funksionalitetit, rëndësi i kushtohej edhe anës artistike.
Në fshatrat e Malësisë së Zhegocit, për shembull, si mjeshtër i qerreve të drunjta njihej Shefki Ibrahim Sadiku. Madje ai kishte zë edhe në rrethinën e Gjilanit.
Secila kohë i ka mjeshtrit e vetë për veglat që përdorë njerëzimi./ Mediafokus.info

