Heroi i Sidneit, identifikohet burri që rrezikoi jetën për të çarmatosur sulmuesin
Është zbuluar identiteti i burrit të guximshëm që çarmatosi një nga sulmuesit në Sidnei.
Bëhet fjalë për një burrë 43-vjeçar me emrin Ahmed al Ahmed, i cili zotëron një dyqan frutash në Sutherland.
Babai i dy fëmijëve u qëllua dy herë gjatë aktit, sipas të afërmit të tij që foli për 7News.
“Ai është në spital dhe ne nuk e dimë saktësisht se çfarë po ndodh brenda”, tha një burrë me emrin Mustafa.
Mediat australiane raportojnë se Ahmed al Ahmed u shtrua në spital për shkak të plagëve të marra nga arma e zjarrit.
Mustafa tha se kushëriri i tij ndoshta shpëtoi jetë të panumërta kur u përball me sulmuesin.
Ndryshe, të paktën 11 persona janë vrarë dhe 29 të tjerë janë plagosur në të shtënat masive në plazhin Bondi të Sidneit.

