Herolinda Januzi garon për këshilltare në Kuvendin e Austrisë

Të dielën më 29 janar do të mbahen zgjedhjet për këshilltarë në Kuvendin e Austrisë së Ulët (Niederösterreich). Në këto zgjedhje garon edhe shqiptarja, Herolinda Januzi.

Herolinda Januzi prej vitit vitit 1998 jeton në Austri. Nga viti 2015, ajo është asambliste në qytetin Spillern, komuna e Korneuburg.

Prej shumë vitesh ka qenë pjesë e shumë iniciativave në qytetin e saj. Në baza vullnetare, Herolinda vepron si kryetare e shoqatës “Kinderfreunde” dhe organizon ngjarje të rregullta për fëmijë.

Me profesion është asistente e menaxhmentit “Deutsche Leasing Austria”, shkruan albinfo.at

Në qytetin Spillern, partia socialdemokrate ka shumicën absolute. Por, shqiptarja 31 vjeçare tashme dëshiron të bëj një hap më përpara. Herolinda si anëtare e SPÖ kandidon për këshilltare në Kuvendin e Austrisë së Ulët (Niederösterreich).

“Politika na shoqëron në jetën e përditshme. Që të përfaqësohen emigrantët apo personat e pafavorizuar social, këta persona duhet të përfshihen edhe në politikë”, thotë Herolinda.

Ajo ia kushton kohën politikës për ta bërë më të lehtë për brezin e ardhshëm dhe për të eliminuar dallimet mes fëmijëve.

”Politika e SPÖ-së është e përkushtuar për këtë. Që ne të krijojmë barazi për çdo fëmijë pavarësisht nga vjen dhe të kenë të njëjtën vlerë, unë e mbështes këtë parti”, thotë ajo për albinfo.at

Zonja Januzi shpreson që edhe komuniteti shqiptar të dal dhe të voton ditën e diel, por sipas saj më e rëndësishmja është që të ushtrojnë të drejtën e votës.

“Shpesh dëgjoj se migrantët nuk e shohin rëndësinë e zgjedhjes. Ata duhet t’i kushtojnë më shumë rëndësi sepse dalja në votime është themeli i një demokracie. Ndaj ju bëj thirrje që të dalin në votime dhe të shfrytëzojnë të drejtën e votës së tyre”, ka theksuar ajo.