Heu, po ku m’banën horrë kta xhanarë e kuburën s’e kisha…
Hasan Bunjaku
Babgjysh Demiri, të nesërmën, ishte zgjuar heret, dhe po “shtrëngohej” e përgatitej të merrte rrugë për në Desivojcë, pasi kishte ndejtë në Ngillan tri ditë e netë tek nipërit e tij, e më shumë tek më i vogli i Rukocve, Shabani, ku ndjehej më së miri, dhe ku i bënin “ragbet” më së shumti e më së miri.
– S’nejte edhe naj ditë e natë o dajë se, belivallha, kurrëfarë pune nuk të pret, e beli, asgja nuk jet keq për ty! A nashta edhe je mërzitë për Bajralikën, a ajo për ty, a?
– Hej, tybeistikfarë, po qysh kurrë si harrove k’to betere, o nip! ‘Sha Zotin, për qi i vyj kujna e që la keq dikon, kisha nejt me javë e muj, po, faleminerit, se ere unë si ai lepri, t’tana t’mirat me ia bo, ai e nin veten ma mirë n’atë therrën e vet. Ere, boll nejta, ju pashë e shyqyr juve ju kisha mirë, e sa për atë tjetrën, po kthehna me ni gropë të madhe në shpirt, po s’po kam se shka me bo! Për secillin musafir, tri netë, janë sa t’dush… – foli Babgjyshi.
– Po izën, se isha nis qi për s’flladi ta “ha” ni copë udhë të mirë, se larg, shum larg, ajo Desivojca jonë!
– Iza pej Zotit, o dajë, e t’lumshin kamtë e “kalit” e nijeti yt, se valla u knaqëm muhabet! – e uroi nipi, e masi ia kish yshye mirë e kashagitë, e ja kish mush ni strajcë taxhi, qi ia kish vjerrë në venin e caktuem në shalë, po ia tërhiqte për frenash deri te porta, e mas tyne, edhe dy gratë e tij. U mur ngrykë me Babgjyshin, i cili u përshëndosh edhe me granimin.
– Selam shum t’mi bani dajallarëve tjerë: Zenelit, Ramës e Ramizit, po ere kejt tjerëve t’mahallës! – përshëndeti Shabani, e edhe gratë, thuaja njëzërit, po i përcillnin të fala granimit t’Bunjakëve!
– Udha e marë, e mos thuj qi kesh e mos na harro po eni pak ma shpesh!
– Po more po, na pej atje naltit, për mos me pague te Hani i Usta Hasanit, e kemi ba konak shpijën e juve, qaq sa veç me “ju çit pej shpijes”…! Se, ju shehërlit nuk i kini qaq n’qef katunartë, po s’po kini ku na çoni se na kini dajë! Po, hajde ere ti. Ngjiti kvalt në srem e merri ere granimin e hajdeni naj ditë sa asht hala vera e gjinet ere naj pemë e bajmë ere muhabet larg k’ti “pluhnit t’shehrit”!
– Veç për të mirë ju ardhshim ishalla! A me t’përcjell teri jasht shehrit se mos po e merrë nej udhë tjetër jangllash?! – sërish me romuze, Shabani.
– Allahile, mos ban hajgare me ni plak, o nip!
– Jo plak hiç valla, po dajë, ere i fortë hala, shyqyr, si kokërr!
– Tymirmeqi! – i hipi kalit Babgjyshi.
– Mirë vofsh e kofsh, e udha e marë të koftë, o dajë! – dhe ngelën te porta të tretë teri sa doli pej sokakit të tyre, e kthei në të majtë kah qendra…
“Hej, po keq iu kish da menja me “dalë për Turkije”, e boll, po droj që do të mesim pa dajallarët më të mirë…!” – foli, ndonëse me za, ma shum për veti se sa me gratë, Shabani!
– N’e paçin kysmetin me e pi ujët e Turkijes, ere mujnë të shkojnë, si shumë ktu n’Gillan – foli Popocja.
– Qy-qy, po, aaa? – iu ngërmue së shoqës, Shabani, e ajo bashk me ortaken, hynën brenda, ndërsa Shabani edhe një koxha kohë mbet mbështetur për dere…
E Babgjyshi, masi i bleu nja 14-15 simita, e i mbështolli me ni shervete që e mbante në duqi, t’i dha shehrit, doli pej tij, e mori udhën e gatë për tek të vetët…
“Heu, po ç’ma kanë ba çorbë kryet ksaj here n’shehër: Imami i Atik-Xhamisë, Usta Hasani e ata Xhemati shehërli te shadërvani atë ditë – qi ishin për me ik për Turki, e Shabani e ere do tjerë, tue e thanë atë tjetrën se kjo qi po thojnë hoxhallarët, asht veç nifar “propagande”, se nuk guxojnë me folë nryshe, e kejt ça po thojnë e kanë rrenë t’kurdisme pej hyqmit t’shkavit… E kujna me i besue se? Njani mirë e tha: “veti niqin vetë, e ban qysh di vet”! Po qysh e shka me ditë vetë, kur je mjedis dy zjermeve? Muj me gabue diku e me i marrë n’qafë kejt roptë e shpisë. Ere nifarë “krymi” nuk po më len rahat me nejt aty ku e qysh jemi, si kejt Bunjaktë e besa ere kjo nahija jonë. Po, knej qysh me u ba un ma i meçmi pej kejtve e me e marrë ni udhë kaq t’gatë, qi munet me na dalë “udhë e pa udhë”, e tevona veç me e vra veten…!?”
– Allah, më nimo me e gjetë udhën e drejtë! – kishte folë me të madhe, saqë edhe vet u habit, si njeriu që zgjohet tremshëm pej gjumit, shikoi djathtas e majtas, se mos e kishte dëgjua kush…?
-Haj-haj, rujmi Zot mentë se pasna nisë ere me fol vetmeveti! – rrëshmoi ai dhe i dha edhe më kalit tatëpjetë bjeshkëve drejt Desivojcës.
“Te e mramja, qysh ta ketë ba menasip Zoti qashtu ere bahet e na veç bahmi badihava kasavet…!” – e ngushëlloi veten Babgjyshi.
Rrugës pa hi n’Kolloleq, nën një çarr u ndal tek ni krue, ia vendosi kalit n’qafë strajcën me taxhi, e vetë e mori ni simit nga ato qi i kish ble n’Ngillan, edhe kafshore-kafshore po e hante, ndonëse, disi, kësaj radhe, sikur iu kishte bërë goja “rryp”, e iu kish idhtue, kaq sa për herë të parë në jetë, simiti nuk i shijoi disi, sepse sikur i dukej se po gëlltiste copa dheu… E piu do ujë në çepin e çeshmës, dhe sikur i erdhi shpirti… “Lai vela, po kjo?! As simitin mos me mujtë me e përcjellë teposhtë…?!?” – u ba goxha marak, i kthyer kah kali, të cilit sikur i “lakmoi” tek me endje po e përtypte taxhinë në strajcë.
Në ndërkohë, se nga “pikën si prej qiellit” po afroheshin tre xhanarë të Kralit. Dhe, sapo donte t’i mblidhte sa më shpejt çaklat e të nisej e të mos takohej fare me ta, ata tashmë arritën.
– Zdravo, gospodo! – i përshëndeti ky.
– Kakvi gospoda, bre! Gospoda zhive drukçije, a ne kao mi!
– Izvini, onda, ja ne znajem…! – tha Babxhyshi e më veti rrëshmoi “po ku m’zuni taksirati me ta…!”, në ndërkohë që ata tashmë i kishin futur duartë në duqi të kalit, dhe i nxorrën nga atje simitët:
“Simiti, a?! A mi nismo ih okusili kozna kad…!” – tha ai kryesori, dhe nisi t’jua ndajë edhe dy tjerëve. Kur e vërejti Babgjyshi: “Hej, to je moja, shto to radite! To je za deca!…”
”Çuti, bre! Ajde, jashi konja, i maglla!”
“Ako-ako, ali toj nije pravo…!” – foli gjyshi. I hipi kalit, dhe i dha tutje.
“Heu, po ku m’banën horrë n’ditë t’sodit kta xhanarë, po qysh s’më qilloi koburrja me veti, e pra, për ni qesi dite ere mahet ajo e virane e jo për kërname…!”- e qortoi vetveten. “Po, pra, po, hyqmi i tyne, e bajnë shka t’ju teket…!” “Zaten, për qesi t’ngushtume, ere gjinja ikin e “dalin” në Hyqmin e Turkit” – mendoi Babgjyshi, dhe kur e ktheu kokën dhe kur i pa tek po i “shkynin” si qentë simitat e tij, që i kishte blerë për krejt nefuztë e familisë, aty, për aty, me vete e solli një “vendim të prerë”: jo jo, s’kanë faj hallki – s’rrnohet me kta llaskuca… E s’rrnoj ma as unë e as i la djem, nipa e mesa e stërnipa ner kit hyqëm…! – dhe i dha edhe ni turr vrapi kalit, drejt shtëpisë së tij!
(Demirovitët: fillimi i rrëfimit, ngjarja para rrëfimeve të botuara më herët, e shkruar në fund të vitit 2021)

