Hill pyetet nëse mban anën e Serbisë, ndërhyn Arifi: Këto akuza i bën VV-ja e Kurtit
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, sot ka vizituar Komunën e Preshevës, ku është pritur në takim nga kryetari, Shqiprim Arifi.
Në konferencën e përbashkët për media, Hill u ballafaqua me pyetjet e gazetarëve, të cilët shprehën interesim ta dinë nëse ai mban anën e Serbisë.
“Po akuzoheni shpesh në Kosovë se ia mbani anën Serbisë. Çka do të thoni për këtë”, ishte pyetja nga gazetari drejtuar diplomatit amerikan.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Arifit, i cili ka ndërhyrë duke thënë se këto akuza vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj, Albin Kurti.
“Pjesa e akuzës vjen nga Vetëvendosje. Pjesa e akuzës i përket një partie, të cilën e udhëheqë Albini. Kjo nuk do të thotë asgjë. Edhe mua më akuzojnë, edhe Edi Ramën e akuzojnë edhe Ali Ahmetin e akuzojnë. Tash çka të bëjmë? Mos të mashtrohemi”, deklaroi i pari i Preshevës.
Ndërsa, Hill tha se qëndrimi i SHBA-ve është që mes dy vendeve duhet të bëhet përmirësim i dukshëm i raporteve në linjë me atë që është duke bërë emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.


 
 
						 
						