Historia Jasharjane: Sakrifica dhe Lindja e Shtetit të Kosovës

Izmi Zeka

Historiografia shkencore shqiptare është ndërtuar mbi ngjarje vendimtare që ndryshuan rrjedhat dhe proceset historike.

Nuk janë të rastit Lidhja e Prizrenit (1878), Lidhja e Pejës (1899), Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (1912), Konferenca e Mukjes (1943), Konferenca e Bujanit (1943–1944), Mbledhja e Prizrenit (1945) dhe vitet e mëvonshme.

Të gjitha këto ngjarje, kur shihen në përputhje me kohën, ruajnë vazhdimësinë historike që mund të analizohet në mënyrë kontinuele, procesive dhe dialektike.

Ngjarja e Jasharajve nuk mund të shihet e shkëputur nga rrjedhat historike, ashtu siç nuk mund të kuptohet lufta e tyre pa ndjenjën historikisht të lindur të shqiptarëve për të mbrojtur trojet e veta.

Ky fenomen, që mund të quhet “Jasharjan”, ka kuptim filozofik, historik, dialektik dhe shkencor; përkufizimi i tij arrin përmasat ekzistencialiste dhe ndikon në krijimin e miteve ose mitologjisë shqiptare në fund të shekullit XX.

Nga pikëpamja politike dhe historike, ngjarja e Jasharajve mund të kuptohet përmes tre koncepteve triometrike:

1. Politika ekzistenciale dhe idealet kombëtare – përshkruan përkushtimin e familjes për të mbrojtur kombin.
2. Sensibilizimi në përmasa evropiane – shfaq ndikimin dhe jehonën e veprimit të tyre përtej kufijve kombëtarë.
3. Lufta biblike deri në flijim – transformon dhunën e tmerrshme në shpresë dhe në mundësi për liri.

Figura qendrore e kësaj epopeje është Adem Jashari bashkë me babën Shaban dhe Hamzën ndërsa familja e tyre përjetuan luftën, duke përjetësuar sakrificën dhe vendosmërinë për një jetë më të mirë.

Në historiografinë evropiane nuk ka ngjarje të ngjashme me një flijim të familjes së tërë, të vetëdijshëm, për të ndryshuar rrjedhat historike.

Në vitin 1991, kur familja Jashari u përball me policinë serbe në kullën e tyre në Prekaz, veprimi i tyre u bë emblemë e rezistencës.

Ngjarjet e marsit 1998, pesë, gjashtë dhe shtatë marsi, u shndërruan në balada, këngë dhe simbol të guximit shqiptar, duke hapur rrugë për lirinë e Kosovës.

Ky flijim familjar ndryshoi epokën dhe e përshkroi fillimin e shtetit më të ri në Ballkan.

Fenomeni i Adem Jasharit është unik dhe i papërsëritshëm. Filozofi gjerman Georg Vilhelm Fridrih Hegel në veprën Fenomenologjia e Shpirtit thekson se “forcat e përgjithshme disponojnë në vetvete shenjën e individualitetit, e cila është e lidhur me principin e veprimit”.

Ky parim pasqyron veprimin e Jasharajve: aktet madhore janë individuale, të lirë dhe të parapërcaktuara nga vetëdija.

Figura e Adem Jasharit, pjesëmarrja heroike e familjes së tij dhe ngjarjet e marsit përbëjnë një tërësi të sfidave që shënuan ndryshimin e epokave në jetën dhe perspektivën e shqiptarëve.

Flijimi i tyre përfundoi epokën e vjetër, robërinë dhe krijoi themelet e qytetërimit të ri.

Siç shkruan një autor, “Adem Jashari deri në vdekje luftoi dhe këndoi; vdekja e tij nuk është vdekje, por përjetësi”.

Lufta në Prekaz ishte e ashpër, por qëndresa e familjes Jashari krijoi një filozofi të re për jetën dhe për lirinë e kombit.

Ngjarjet e pesë, gjashtë dhe shtatë marsit mbyllën një kapitull të dhimbshëm për shqiptarët, kthyen dinjitetin, qartësojnë pozicionin në raport me Serbinë, krijojnë rrethana politike dhe diplomatike më të favorshme dhe shënojnë fundin e një regjimi të huaj.

Figura Jasharjane është emblematike në historinë e Kosovës dhe në historinë kombëtare shqiptare.

Pamja e Adem Jasharit dhe kulla e tij simbolizojnë bashkimin e jetës me rënien për liri. Arti i flijimit merr dimension historik, moral, politik dhe të shtet formimit.

Adem Jashari, si një “Eskil i kohërave moderne”, përqafon vdekjen për të jetuar në univers, duke dhënë rrënjët e shtetit në gjakun dhe luftën titanike të familjes së tij.

Publicisti Milazim Krasniqi shkruan: “Përmasa e veprës së Adem Jasharit është më e madhja në historinë e kombit shqiptar. Pa këtë përmasa, nuk do të shkaktonte tërmetin që pati në botën shqiptare dhe lëvizjet radikale në gjeopolitikën rajonale dhe globale”.

Ngjarjet e marsit të vitit 1998, përmes përjetësimit të figurës së Adem Jasharit dhe familjes së tij, krijuan një filozofi të veprimit që lidhet drejtpërdrejt me krijimin e shtetit të lirë, me unitetin dhe të ardhmen e ndritshme të Kosovës.

Figura e Jasharajve, si një emblemë e rezistencës dhe flijimit, mund të krahasohet me Spartakun, heroik i lashtësisë romake, i cili gjithashtu luftoi deri në flijim për lirinë e popullit të tij.

Ashtu si Spartaku, Adem Jashari dhe familja e tij përjetësohen në historinë kombëtare si simbole të sakrificës, guximit dhe idealit të pavdekshëm të lirisë.