Historiania Kocaqi: Serbët duan portin e Durrësit dhe rrugën e kombit

Historiania shqiptare Eleni Kocaqi nuk sheh asnjë përfitim të Shqipërisë nga mini-shengeni ballkanik. Në studion e “360 Gradë” në RTV Ora, ajo analizoi aspektin ekonomik, ku sipas saj Shqipëria po tentohet të përdoret si treg për produktet serbe dhe maqedonase.

Kocaqi thotë se ne po bëjmë lojën e Serbisë. Historikisht, Serbia e ka dashur këtë gjë, ka thënë ajo, derisa i ka bërë një analizë raporteve në aspektin ekonomik dhe eksporteve me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ne eksportojmë vetëm lëndë të parë, nuk prodhojmë asgjë. Fqinjët tanë e kanë kaluar fazën e prodhimit, po kërkojnë treg. Shqipërinë e shikojnë si treg. Shqipëria nuk ka shkuar në fazën e prodhimit, ka 30 vjet që nuk prodhon.

Fqinjët tanë janë shumë para nesh, për këtë arsye kjo marrëveshje nuk është në favor të Shqipërisë, pasi nuk kemi asgjë që t`i konkurrojmë ata. Përkundrazi, ata në raport me ne janë shumë superior sa i takon eksporteve dhe tregtisë.

Për çfarë të duhet që rrugën që e ke bërë me paratë e shqiptarëve, portin që ta ka dhënë Zoti prej mijëra vjetësh dhe gjithçka që ke, ta vësh në funksion të ekonomisë së tyre, pyet Kocaqi. /MediaFokus/