“Horizonti” shënon 45-vjetorin e daljes, Gjilan – djep i enigmatikës shqiptare

Shoqata e Enigmateve “Ndre Mjeda” e Gjilanit, më 31 janar 2026, prej orës 12:00, në ambientet e Bibliotekës së qytetit, organizon Garat e enigmatëve si dhe tryezë tematike kushtuar 45-vjetorit të daljes së revistës “Horizonti” (1981–2026), e para e këtij lloji në gjuhën shqipe.

Tema qendrore e tryezës do të jetë:
“Horizonti – 45 vjet në shërbim të fjalës shqipe përmes enigmës”, me ligjërues Dr. Zijadin Hasani, kryeredaktor i revistës.

Tryeza trajton rrugëtimin historik të revistës, rolin e saj në zhvillimin e enigmatikës shqiptare, si dhe kontributin e enigmatëve gjilanas ndër dekada.

Në kuadër të këtij aktiviteti do të mbahen diskutime tematike nga krijues dhe studiues të enigmatikës, ndërsa një pjesë e veçantë e programit do t’i kushtohet shpalljes së më të mirëve në garat enigmatike.

Po ashtu, Shoqata do të ndajë mirënjohje jubileare për bashkëpunëtorët dhe mbështetësit e revistës “Horizonti”, të cilët kanë dhënë kontribut të çmuar në ruajtjen dhe zhvillimin e kësaj tradite kulturore.

Tryeza synon të afirmojë vlerat e enigmatikës si pjesë e rëndësishme e kulturës së shkrimit, mendimit dhe gjuhës shqipe, si dhe të nderojë një jubile domethënës për Gjilanin dhe mbarë hapësirën shqiptare.