Hoti në samitin virtual flet për eliminimi i barrierave tregtare e funksionimi i lirive të lëvizjes
Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor ranë dakord për avancimin e lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve, si dhe për të punuar në identifikimin e projekteve të investimeve, në mënyrë që fondet për rimëkëmbjen dhe investimet e ardhshme të mund të ndahen në mënyrë efikase dhe të shpejtë, ndërsa premtuan se do të përcjellin edhe zbatimin e këtyre masave.
Këto u diskutuan në një samit online, të organizuar nga Këshilli Atlantik, kushtuar hapave konkretë për përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
Në samit morën pjesë: kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Zoran Tegeltija, dhe ministrja e Ekonomisë e Malit të Zi, Dragica Sekulliq.
Një pjesë e samitit ishte e hapur për publikun, ndërsa pjesa tjetër e mbyllur.
Jim O’Brian, nga Këshilli Atlantik, tha se gjashtë liderët e mbështetën planin ambicioz, “gjë që publikisht nuk ka ndodhur disa muaj”.
Sipas tij, ata mbështetën thellimin e bashkëpunimit rajonal, veçanërisht kur bëhet fjalë për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, që përballen me pritje të gjata në kufij.
Ata u zotuan se do t’i mbështesin edhe marrëveshjet dypalëshe rajonale.
Gjithashtu, secili shtet premtoi se do t’i identifikojë projektet afatgjata të investimeve në infrastrukturë, të cilat janë të rëndësishme për rajonin.
Nënkryetari i Këshillit Atlantik, Damon Wilson, tha në hapje të video-samitit se kohët e vështira kërkojnë vendime të vështira dhe se është e rëndësishme që liderët të punojnë së bashku, për të krijuar një treg të përbashkët në të mirë të qytetarëve.

