Hovenier i tërheq vërejtjen Kurtit rreth “bazës” mbi të cilën ShBA njohu Kosovën: “Jo çdo lloj politike ka karton të gjelbër”
Me të shpallur Kosova pavarësinë e saj, ajo ka marrë zotime dhe përkushtime ndaj komuniteteve pakicë; si një vend multi-etnik, që i përgjigjet shqetësimeve të komuniteteve të saj. Për më tepër këto zotime janë të gdhendura në Deklaratën e Pavarësisë prej Planit të Ahtisaarit e në Kushtetutë; që përbëjnë “kushtin” dhe “bazën” përmes të cilës Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur Kosovën dhe e kanë çuar përpara “projektin” e saj ndërkombëtarisht.
Mbi këto premisa e ndërtoi krejt qortimin, shqetësimin dhe argumentin ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ndaj Qeverisë së Kosovës, i cili duke i shtjelluar me rend, u shpreh se me veprimet e fundit “qeveria nuk është në përputhje me ato zotime”.
“Mbi këto baza ne ju mbështetëm dhe ju mbështesim”, tha Hovenier duke iu referuar akteve më të larta juridike të shtetësisë së Kosovës.
“ShBA dëshiron që të shohë Kosovën të avancojë drejt integrimeve dhe trajektores evropiane, por kjo s’vjen falas”.
“Dhe kam vërejtur se ka shumë njerëz që duken ca të çuditur se përderisa ShBA ka mbështetur, mbështet dhe do të vazhdojë të mbështesë popullin e Kosovës, projektin e Kosovës dhe të shohë këtë vend të realizojë plotësisht potencialin, që jemi të përkushtuar, kjo s’do të thotë që ne do t’i japin kartonin e gjelbër çdo qeverie të Kosovës në çdo politika që ndjekin; dhe s’do të duhej ta bënim”.
Çështja nuk ka të bëjë me “dinarin” si “dinar” – ishte edhe më shumë i prerë ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, duke iu adresuar, siç tha ai, “keqparaqitjeve” në opinionin publik se Shtetet e Bashkuara “po e mbrokan dinarin”.
Se çfarë valutash vendosin autoritetet kosovare të lejojnë ose jo të qarkullojnë në vendin e tyre mbetet prerogativë e shtetit kosovar.
Por, ShBA është “e brengosur…me efektet te pakicat e cënueshme”, tha Hovenier në një bisedë me gazetarë kosovarë, teksa i qëndroi qortimit të derimëtashëm rreth mënyrës së futjes në fuqi të asaj të rregullore pa komunikuar me askënd dhe duke i lënë të ekspozuar para ndryshimeve të mëdha, siç tha ai, “individët e cënueshëm”.
“Pse është kjo çështje e dialogut”, pyeti dhe u përgjigj vetë Hovenier: “Është shumë e drejtpërdrejtë, sepse është”.
“E arsyeshme është që ky proces (i pagesave në dinar) të ndryshohet, por çka neve në veçanti na rrok si e paarsyeshme që ky proces të ndërrohet pa bërë punët përgatitore…pa punuar me komunitetet te të cilët ndikon”, tha Hovenier.
“Kjo është çështje dialogu, e jo veç çështje thjesht teknike”, tha ambasdori, duke e flakur tutje qëndrimin rigjid qeveritar se kjo çështje është “thjesht çështje e brendshme”.
“Mënyra e zbatimit duhet të jetë e përgjegjshme dhe e ndjeshme ndaj të afektuarve”.
Partneriteti i “dëmtuar”
Hovenier-it iu desht të elaborojë edhe “kërcënimin jo të vagët” të Asistent Sekretarin të Shtetit, Jim O’Brien për reciprokim të mospartneritetit Kosovë-ShBA.
Se partnerieti nuk është i fuqishëm, ai e la të kuptohet mëse qartë. Kjo si pasojë e veprimit me doemos ashtu pa marrë parasysh brengat e komunitetit dhe thirrjeve të aleatëve trans-atlantikë të Kosovës.
“Qeveria duhet të sigurojë që të gjithë qytetarët të mund të jetojnë në kushte dinjiteti dhe sigurie, dhe besojmë se mënyra se si kjo rregullore po zbatohet nuk e bën këtë mjaftueshëm. Besojmë se po dëmton njerëzit e cënueshëm. Po shkakton shqetësime të përnjëmendta në komunikim, kjo është e panevojshme. Afekton cilësinë e partneritetit tonë. S’mun të them më shumë tani, veç që s’duam të jetë kështu”, tha Hovenier.
“Besojmë se arsye e uljes së cilësisë së partneritetit tonë, arsyeja se pse unë sot s’mund t’ju them që partneriteti ynë është i fortë dhe pozitiv është për shkak të kësaj zgjedhje, dhe për shkak që deri më tash qeveria nuk është përgjigjur mjaftueshëm për shqetësimet që kemi ngritur”, tha Jeffrey Hovenier, transmeton nacionale.
“Nuk mendoj se qeveria ime mund të jap sinjale më të qarta se deri më tash kur kemi thënë se jemi të pakënaqur me cilësinë e partneritet. Nuk besojm se Qeveria Kurti na ka vënë mjaftueshëm veshin ndaj shqetësimeve që kemi ngritur; rreth mënyrës së zbatimit të rregullores së BQK-së”, tha mes tjerash Jeffrey Hovenier.

