Hovenier: S’ka fitore nëse ndryshohet sovraniteti i Kosovës, as kur minoriteteve s’u respektohen të drejtat

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë pa vonesa obligimet e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Kosovës për Paqe dhe Demokraci, fillimisht ka thënë:

“Ky event është një kujtim që pavarësia në botë dhe shoqëria civile, luan, duhet të luajë dhe mund të luajë një rol të përparuar demokratik. Unë takohem herë pas here me njerëz të shoqërisë civile dhe ata thonë nuk mund të bëjë asgjë jam thjesht një anëtar i shoqërisë civile, nuk mund të ndikojë në ndryshim, ne i shkruajmë letrat, ne bëjmë gjëra. Shoqëria civile ndryshon botën”.

Hovenier ka kërkuar një qasje më energjike nga Kosova e Serbia në dialog, duke përmendur se të gjithë negociuesit kërkojnë një situatë ku dalin fitues.

Megjithatë, siç ka shtuar ai, nuk ka fitore nëse bëhet ndryshim në sovranitetin, pavarësinë apo integritetin territorial të Kosovës. Por, sipas tij, nuk ka fitore as kur minoriteteve nuk u respektohen të drejtat.

“Duhet qasje e re më energjike nga të dyja palët. Negociuesit më të suksesshëm gjithmonë mendojnë për situatë ‘win-win’. Mendojnë se si të marrin diçka, por edhe kolegu i tyre të marrë diçka që të jetë i kënaqur. Është proces. SHBA-ja dëshiron të shohë këtë, por pa kompromentuar themelet e Kosovës. S’do të kishte asnjë fitore me çdo ndryshim në sovranitetin, pavarësinë apo integritetin territorial apo demokracinë e Kosovës. Por, nuk është edhe fitore kur minoriteteve nuk u respektohen të drejtat.” – ka thene ai.

Mes tjerash, duke folur për anëtarësimin në Bashkimin Evropian apo NATO, Hovenier ka thënë:

“…nuk e shoh se si mund të bëhesh anëtare e BE-së pa bashkërendim me BE-në që nënkupton bashkërendim me gjitha shtetet anëtare e BE-së. Apo si bëhesh anëtare e NATO-s pa pëlqimin apo bashkërendimin me gjithë anëtarët e NATO-s. E dini se disa shtete të NATO-s ende nuk e kanë pranuar zyrtarisht realitetin e një Kosove sovrane, demokratike, multietnike në mënyrën siç kemi bërë ne. Ne duhet t’i bindim. Kjo nënkupton punën në procesin e krijuar nga institucione të ndryshme.” – ka thënë ai.

Hovenier tutje ka përmendur edhe një thënie të gjyshit të tij, duke thënë “nëse dëshiron t’i bashkohesh nëj klubi, mos urino në derën para klubit.

“Gjyshi im ka pasur një thënie njëherë, dhe ju lutem më falni, nëse dëshiron t’i bashkohesh një klubi, mos urino në derën para klubit. Qëllimi im këtu është se ne duam të përkrahim Kosovën në rrugën euroatlantike, kemi bërë shumë, presidentë, sekretarë të shtetit e ambasadorë për të avancuar këtë. Ne duam të ndihmojmë. Presim nga çdo qeveri e Kosovës të na japë argumentet më të mira në këto bisedime.” – u shpreh ambasadori amerikan.