Hoxha nuk e deklaroi veturën që iu bë dhuratë nga xhemati, ATK e obligon që të paguaj tatim
Administrata Tatimore e Kosovës e ka obliguar hoxhë Mazllam Mazllamin që të paguajë tatimin për veturën të cilën e mori dhuratë në vitin 2023 nga xhemati, ndonëse vetura mund të kishte vlerë më shumë se 5 mijë euro, raporton KALLXO.com.
Në vitin 2023 gjatë ceremonisë së pensionimit në të cilën po merrte pjesë edhe Myftiu i Kosovës, Naim Ternava, hoxhës nga Prizreni i ishte bërë dhuratë një veturë Mercedes Benz.
Hoxhë Mazllami nuk ka dashur që të përgjigjet se pse nuk e lajmëroi veturën që mori dhuratë në ditën e pensionimit të tij, por tha se ishte marrë vesh me ATK-në për këtë çështje
Në pyetjet e KALLXO.com për përgjigjet e hoxhës Mazllami, ATK është përgjigjur se i njëjti kishte deklaruar se nuk e dinte që duhej të paguhej për një dhuratë të tillë.
Në bazë të të dhënave të ATK-së, hoxhë Mazllami kishte deklaruar tatimin për veturën 633 euro e 60 cent.
“Pas intervistimit është konstatuar që personi në fjalë nuk ka deklaruar për qëllime tatimore dhuratën e pranuar, sipas tij nuk ka pas njohuri që duhet të bëhet deklarimi i tij.
Tatimpaguesi ka deklaruar dhuratën e pranuar me deklaratën DI, dhe ka rezultuar me 633.60 € tatim shtese (baza)”- thuhet në përgjigjen e Administratës Tatimore të Kosovës për KALLXO.com.
Po ashtu për të njëjtin ATK thotë se nuk ka pasur numrin fiskal për çka edhe i është dhënë kjo e drejtë dhe i është dhënë hapësira për qasje në deklarim.
Përveç tatimit që është paguar, rasti nuk ka përfunduar. Kjo pasi që ATK rastin e Mazllamit e ka dërguar edhe për trajtim të mëtutjeshëm për administrimin e procedurave tatimore.

