Hulumtim: Mbajtja e maskave ka edhe benefite tjera për shëndetin
Mbajtja e detyrueshme e maskave, jo vetëm që i ka bërë njerëzit të mbrojnë veten nga virusi, por gjithashtu i ka bërë ata të ndërmarrin sjellje të tjera mbrojtëse, siç janë: pastrimi i vazhdueshëm i duarve, mbajtja e distancës dhe në përgjithësi mbajtja e një higjiene më të mirë, raportuan studiuesit të enjten.
Një ekip i studiuesve nga Gjermania vëzhguan një grup prej pothuajse 7.000 gjermanëve nga mesi i prillit deri në fund të majit.
Sipas këtij hulumtimi, kur në Gjermani përdorimi i maskave u bë i detyrueshëm, në prill të vitit 2020, numri i njerëzve në Gjermani që mbanin maska u rrit ndjeshëm.
Para se maskat të bëhen të detyrueshme, rreth 20% e pjesëmarrësve në hulumtim mbanin maska, ndërsa nga fundi i majit kjo përqindje u rrit në 80%, transmeton Express.
Si përfundim, ligji i cili parasheh mbajtjen e detyrueshme të maskave ka pasur disa efekte të tjera pozitive për shëndetin, siç ishin:
-Njerëzit pastronin duart gati tetë herë më shumë se zakonisht
-Shmangin 20 herë më shumë shtrëngimin e duarve
-Ishin 13 herë më të prirë të mbajnë distancë fizike
“Si përfundim, politika e mbajtjes së detyrueshme të maskave duket se përpos që ka zvogëluar dukshëm transmetimin e koronavirusit, ka rritur edhe vetëdijen e njerëzve për mbrojtjen e shëndetit nga disa sëmundje të tjera”, thanë hulumtuesit.

