“Humb interesimi për të mësuar” – SBASHK-u kundër vlerësimit të nxënësve pa nota
Për eliminimin e vlerësimit diferencial për shkollimin fillor, fillimisht nevojitet një debat i gjerë për të parë përparësitë dhe mangësitë që sjell kjo reformë, thonë persona nga komuniteti i arsimit.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës, Rrahman Jasharaj ka thënë se shpesh herë në Kosovë plasohen idetë pa u analizuar mirë.
Sipas tij, eliminimi i notimit numerik në një anë heq barrën tek nxënësit por nga ana tjetër humb interesimin për të mësuar.
“E keqja më e madhe në arsim është se shtrohen idetë pa u analizuar mirë me të gjitha palët po tentohet të hyhet në funksion. Mbase ekspertët e lëmisë duhet të shikojnë se cili do të jetë efekti pozitiv por a ka edhe efekte negative. Mbase edhe do të jetë një heqje e barrës te nxënësit presioni i notave ,mirëpo kam frikën se sidomos në klasën 4 dhe 5 nxënësit do ndihen shumë komod dhe do të mësojnë më pak duke e ditur se nuk do të jenë të vlerësuar me nota numerike. Do të ishte mirë që instituti pedagogjik dhe ekspertët e tjerë të merren me këtë çështje”, shtoi Jasharaj.

