Humb jetën 38-vjeçari pas mbjelljes së flokëve në një klinikë
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Stamboll, ku një 38-vjeçar nga Mbretëria e Bashkuar ka ndërruar jetë pas një ndërhyrjeje për mbjelljen e flokëve në një nga klinikat estetike më të njohura të qytetit.
Sipas raportimeve nga mediat vendase, përcjellë petravu.com operacioni, që zgjati rreth pesë orë, u zhvillua fillimisht pa komplikacione të dukshme.
Megjithatë, pak pas përfundimit të procedurës, 38-vjeçari ka shfaqur shenja shqetësuese dhe komplikacione serioze, që çuan në transportimin e menjëhershëm drejt një spitali të afërt.
Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor në kujdesin intensiv, ai nuk arriti të mbijetojë.
Autoritetet turke kanë hapur menjëherë një hetim penal, duke shqyrtuar pistën e vrasjes nga pakujdesia, ndërsa trupi i viktimës është dërguar për autopsi, përpara se të niset drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Zyra e Jashtme britanike ka konfirmuar ngjarjen dhe ka bërë të ditur se po asiston familjen e viktimës dhe është në kontakt me autoritetet turke.
Turqia është kthyer në një destinacion shumë të kërkuar për ndërhyrjet estetike, falë çmimeve konkurruese dhe marketingut agresiv në rrjetet sociale.
Sipas statistikave, vetëm gjatë vitit 2022, mbi 150 mijë qytetarë britanikë kanë udhëtuar drejt Turqisë për procedura të tilla – që nga mbjellja e flokëve, deri te ndërhyrjet në hundë, buzë dhe trup.
Por, ky bum i kërkesave është shoqëruar edhe me rritje të rasteve të komplikacioneve dhe vdekjeve, shpesh të lidhura me mungesën e standardeve mjekësore, keqmenaxhimin klinik apo mungesën e licencave të rregullta.

