Humori i Vedatit e tejlavdëron Jakup Krasniqin
Humori i Vedatit të Stupcave, me personazh Jakup Krasniqin, ka nxitur reagime në Kosovë, së pari të familjes e pastaj edhe të shokëve dhe miqve të tij. Vedati është kritikuar ashpër për ironinë me Krasniqin.
Por, jo të gjithë mendojnë kësisoj. Ka persona që e ‘lexojnë’ pozitivisht humorin e Vedatit. Profesori nga Gjilani, sociologu Avni Rudaku, i njohur për mendimin e tij ndryshe, krejtësisht origjinal, ka thënë se video-humori i Vedatit e tejlavëron Jakup Krasniqin.
Video-humori i Vedatit të Stupcave nuk është për të fyer Jakup Krasniqin, por për të kritikuar Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, që nuk i përmendën në përvjetorin e 14-të të shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë.
Po habitem se si në vend të leximeve alegorike, lexohen si interpretime fundamentaliste (lexime bukvale).
Ajo që kam vërejtur për shumë vjet të paraqitjeve publike në masmedie, është se KEQKUPTIMI dhe MOSKUPTIMI janë shpesh pjesë e atij që të sheh dhe të dëgjon.
Kjo nuk ndodh se dikush është jo inteligjent, ose që ka ngelur në stadet e Zhan Piazhesë (ende i paarritur stadi operacional formal, ku zhvillohet të menduarit abstrakt), por sepse ka MOSDURIM për të dëgjuar deri në fund, për të ju lexuar gjer në fund. Prandaj, e kap një gjë dhe pastaj e humb krejt fillin. Në vend të analizës së tërësisë së skeçit (monologu ishte shumë serioz, i ngjante filmit të metrazhit të shkurtër, dramë e dikujt që ka luftuar për çlirim dhe në përvjetorin e pavarësisë për të cilën ka luftuar, pasi ka mbaruar lufta, ende është në burg, sesa skeç për t’ju bërë të qeshni!), e sheh vetëm Jakupin e imituar dhe kaq!
O njerëz, video me Jakup Krasniqin në burgun e Hagës, është kritikë alegorike ndaj Kurtit dhe Osmanit që harruan përmendjen e kontributeve të Jakupit e Hashimit në çastin historik të DEKLARATËS SË PAVARËSISË.
Dytë ishin protagonistë më 17 shkurt 2008 dhe shumë më herët. Krejt përpjekja për luftë, rezistenca e armatosur, është një krah i fortë kontributi për rezultatin final: Pavarësinë e Kosovës, bashkë me “krahët e tjerë lokalë e ndërkombëtarë”, si dhe kontekstin kohor të SHBA-së unilaterale në vitet e ’90-ta të shek. XX, pas shembjes së Murit të Berlinit dhe dobësimit të Rusisë në nivel global.
P.S. Vedati e ka bërë edhe një gjë interesante këtu, në aspektin e tij personal: Për disa vjet, ka kritikuar, ironizuar, satirizuar, ish-komandantët e luftës, se si e keqpërdorën pushtetin pasi u kry lufta, uzurpuan banesa, u pasuruan, privatizuan toka, keqpërdorën përvjetorët e dëshmorëve etj.
Madje, edhe ajo videokaseta e Vitit të Ri në KTV, ka qenë për shumë individë e grupime politike e shoqërore, si sulm i rëndë në festë, për ish-komandantët të UÇK-së.
Gjithashtu, shumë skeçe humoristike të STUPCAVE, ishin njësh me shumë bindje politike të LVV-së, prandaj Vedati e mbrojti Jakupin si përfaqësues të luftës së UÇK-së, sepse deshi që të mos perceptohej vetëm si satirizues i “krahut të luftës”, por edhe satirizues i “krahut të pasluftës”, përkatësisht kritika ndaj LVV-së.
Deshi të shfaqej si “neutral” ndaj grupimeve politike dhe i dashur për krejt publikun e gjerë shqiptar.
Thjesht, e ruan audiencën ekzistuese dhe zgjeron të rejën, si dhe kujdeset që të shihet edhe në të ardhmen, si i “të gjithëve”.

