I arrestuari për spiunazh, dëshmitar në Speciale: Prokuroria e Hagës refuzon të përgjigjet

Prokuroria e Specializuar në Hagë ka zgjedhur heshtjen rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë, ku u arrestuan dy të dyshuar për spiunazh.

Sipas deklaratave publike nga avokati i Bedri Shabanit, ky i fundit ka qenë në listën e dëshmitarëve të Gjykatës Speciale.

Por, për këto zhvillimeve, Prokuroria e Specializuar nuk ka pranuar ta thotë asnjë fjalë. Në një përgjigje për Nacionalen, ata nuk kanë komentuar.

“Prokuroria e Specializuar nuk i komenton hetimet”, thuhet në përgjigjen e shkurtër.

Koment nuk kanë pranuar të japin as nga Gjykata Speciale e Hagës.

Bedri Shabani e Muharrem Qerimi u arrestuan si të dyshuar për spiunazh. Atyre iu caktua masa prej 30 ditësh paraburgim.

Besnik Berisha e ka konfirmuar se Bedri Shabani është dëshmitar i Prokurorisë së Specializuar në Hagë. Megjithatë, detajet të tjera nuk u bënë të ditura.

“Është histori e njohur, nuk i ikë. Është dëshmitar i Prokurorisë në Hagë. Nuk është rast konfidencial, sepse nuk do e zbuloja këtu. Ai mendon se po persekutohet nga biznese të caktuara si rezultat i punës së tij. Sipas tij është dëshmitar në Prokurori, nuk e di për cilin rast sepse janë disa raste. Ka refuzu që të kishte masa mbrojtëse”, ka thënë Berisha më tutje.

Madje, në një deklaratë të Besnik Berishës dje në Klan Kosova, ai tha se Bedri Shabani po thotë që u arrestua vetëm se është dëshmitar në Gjykatën Speciale.

“Ky meqë ka qenë pjesë e Doganës, gjatë bombardimeve e ka pohuar, madje më ka thënë se me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm aso kohe ka qëndruar në Doganë, pasi ka kontribuar si pika e vetme kufitare për të lejuar mallra, ushqime e gjëra të tjera për të shkuar në vatrat e luftës. Ky është rrëfimi i tij. Madje tha se edhe vëllai i Rexhep Qosjës ka qenë doganier në Prishtinë, me pajtim të dikujt nga Shtabi aso kohe”.

“Deri në 2004 ka qenë doganier i Kosovës. Më 2004 e tutje ka qenë i papunë deri më sot. Ka jetuar nga qiratë. Dhe një gjë tjetër që është e pakontestueshme sipas tij është se më 2015 ka dhënë dëshmi në Prokurori dhe thotë se ka refuzuar të dalë si dëshmitar i mbrojtur. Madje, ai thotë se ka marrë kritika që nuk ka dalur të dëshmojë siç ka shkruar një artikull në vitin 2004 në një gazetë”, tha Berisha në Rubikon në Klan Kosova.

Më tej, Berisha tha se klienti i tij, Bedriu, është zotuar se ka dalë para Gjykatës Speciale dhe se s’ka bërë asnjë veprim kundër shtetit të Kosovës.

“Dhe ka thënë se nuk do të bënte kurrë veprim në kundërshtim me interesin e shtetit të Kosovës, nuk ka folur kurrë dhe spiunuar për asnjë shërbim, e aq më pak të Serbisë. E ka pranuar se është nip i Bosnjës, e ka nënë boshnjake, ka kaluar nëpër Serbi kur ka shkuar tek prindërit e tij dhe thotë se ka tentuar të marrë dokumentacion të Serbisë dhe ia kanë refuzuar edhe letërnjoftimin. Para dy viteve ka ndodhur kjo, për shkak të vizave të Bosnjës”, tha më tej Berisha.

Tutje, avokati Berisha tha se Bedriu e ka porositur duke thënë se “thuaju njerëzve se unë po persekutohem sepse jam dëshmitar i Hagës”.

Ditën e djeshme u publikuan edhe audio-incizime mes Bedi Shabanit dhe zyrtarit të BIA-s, Srdjan Rosiq. Biseda jozyrtarisht u raportua se ka qenë një ditë pas sulmit terrorist në Banjskë.

Në bisedë, Shabani ankohet se plani nuk është realizuar mirë, dhe është dashur të kontaktohet ai “që t’i hedhin edhe pak benzinë zjarrit”.Sipas dyshimeve, plani i dy të arrestuarve ka qenë për të nxitur një konflikt ndër-etnik, si dhe ta shtyjnë përpara agjendën serbe për një tjetër Shtëpi të Verdhë në Reçak./nacionale/