I caktohet paraburgimi gruas e cila dyshohet se ndihmoi në rrëmbimin e biznesmenit Bedri Rerxhepi

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj gruas që dyshohet se ndihmoi në rrëmbimin e biznesmenit nga Prishtina, Bedri Rexhepi.

Në një komunikatë për media, kjo gjykatë ka njoftuar se të dyshuares i është caktuar një muaj paraburgim për veprën penale “Ndihmë” në kryerjen e veprës penale “Rrëmbim”.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehures A.R, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale Rrëmbimi nga neni 191 paragrafi 3 pika 3.2 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Bedri Rexhepi është zhdukur më 8 prill të vitit të kaluar. Një ditë më vonë, në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit u gjet vetura e tij, e braktisur.

Lidhur me zhdukjen e Bedriut, policia arrestoi Jeton Vllasaliun, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në rrëmbimin e tij.