I depërtoi plumbi afër shtyllës kurrizore, kjo është gjendja shëndetësore e vajzës së lënduar në Bon Vivant

Në Ortopedi të QKUK-së po vazhdojnë të trajtohen të lënduarit nga përleshja e armatosur në lokalin Bon Vivant në Prishtinë.

Drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica deklaroi për Telegrafin se dy nga të lënduarit janë liruar, gjersa po vazhdon trajtimi i tre të tjerëve.

Ai bëri të ditur se vajza e cila ka mbetur e plagosur në këtë rast, ka ende plumbin afër shtyllës kurrizore. Jashanica shtoi se të tre pacientët janë jashtë rrezikut për jetë.

“Gjendja është e mirë, kemi pasur pesë pacientë, katër meshkuj dhe një vajzë. Dy nga të lënduarit janë liruar, njëri ka pasur plumbin dhe i është larguar, ndërsa tjetri ka pasur dorën e thyer. Kurse vajza e cila është duke u trajtuar ka plumbin afër shtyllës kurrizore, nuk janë në rrezik për jetë”, deklaroi Jashanica.