I futi duart në “arkën e bamirësisë” në xhami – arrestohet i dyshuari në Ferizaj
Një rast i rëndë vjedhjeje që kishte tronditur opinionin publik në Ferizaj, është zbardhur pas dy javësh hetime intensive nga Policia e Kosovës, raporton Sinjali.
Ngjarja kishte ndodhur më 9 dhjetor 2025, rreth orës 18:30, në rrugën “Hamzë Jashari”, konkretisht në objektin fetar të njohur si “Xhamia e Vogël”, ku një person i panjohur kishte hyrë me forcë, duke thyer derën e zyrës dhe më pas kishte vjedhur Arkën e Bamirësisë, ku ndodheshin rreth 100 euro.
Rasti ishte raportuar më 10 dhjetor 2025, ndërsa e gjithë ngjarja ishte regjistruar nga kamerat e sigurisë së objektit fetar.
Pas hetimeve të zhvilluara nga Njësia e Hetimeve të Stacionit Policor në Ferizaj, më 24 dhjetor 2025, policia ka arritur të identifikojë dhe arrestojë të dyshuarin kryesor, F.A., rreth 29-vjeçar.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë me dije se gjatë kontrollit, nga i dyshuari janë sekuestruar disa palë këpucë, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes dhe do të shërbejnë si prova materiale në procedurën penale.
I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Ferizaj, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Me autorizim të Prokurorit kujdestar, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Hetimet për këtë rast po vazhdojnë, ndërsa pritet që i dyshuari të përballet me procedura të mëtejme penale për veprën “Vjedhje e rëndë”.
………………………………………………….
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

