‘I pata dy djem’ – gazetari Hasan Bunjaku me dedikim për të birin
Gazetari Hasan Bunjaku, para një viti, u sprovua nga jeta me dy goditje të forta, që i erdhën njëra pas tjetrës, humbja e gruas dhe djalit të madh.
Sot, në përvjetorin e parë, ai ka bërë një dedikim të ndjeshëm për Artanin, njërin nga të dy krahët ku ai mbështetej dhe fluturonte nga lumturia në rrugëtimin e tij jetësor.
“I pata dy djem, të cilët qenë shembull për të mirë jo vetëm për mua, familjen, lagjen e qytetin; i pata DY KRAHË të fortë, me shembëlltyrën e të cilëve, unë po f l u t u r o j a nga lumturia, nga krenaria që ia dola t’i kem të tillë: intelektualë, punëtorë të vyeshëm, të ditur, të mençur, të urtë, nga të cilët buronte e rrezatonte energjia pozitive dhe mirësia…
I pata Dy, e tash më mbeti vetëm NJË (që AI I MADHI ma ruajtë dhe i priftë e mbara), sepse, pikërisht sot e një vit më parë, të madhin, A R T A N I N, papandehur ma mori mortja, duke ma THYER kështu njërin KRAH, e duke na lënë: mua babain, të birin, të bijën, bashkëudhtaren e jetës, motrën, vëllain, nipërit, mbesat, miqtë, dashamirësit, dhe një armatë të tërë individësh që e njohën e i njohu, qindra nxënës, kolegë, dhe familjen e ngushtë dhe atë të gjerë BUNJAKU – në pikëllim e dhembje të thellë, një boshllëk, që me asgjë nuk përmbushet, një mall të pashuar në palcën e shpirtit, por njëherit krenarë që të patëm, e që do të të kujtojmë deri në amshim, dhe për të gjithë ne si një qenie engjëllore, besojmë thellë, që Zoti do të të ketë mëshiruar me Parajsë, ku do Perëndia, e na pret që të takohemi në Ahiret – o biri im, Babai, Bashkëshorti, Vëllai, Xhaxhai, Daja, Miku, Mësimdhënësi, Kolegu i punës, Nxënësi, Shoku, Miku, Komshiu e Dashamirësi – O I Miri ynë, që u prehsh në Paqe, e që do jesh përjetësisht në zemrat dhe mendjet tona!
Me zemër të thyer, babai – Hasan BUNJAKU”

