I riu eskalon në mes të rrugës, e rrah shoferin e një veture
Abuzimi me alkoolin është ndër shkaktarët më të shpeshtë të përleshjeve, që nisin si konflikte verbale dhe eskalojnë në sulm. Të tilla raste jo rrallëherë ndodhin edhe në hapësira publike, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve.
Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë pas mesnate, në rrugën “Gasper Karqi’ në Gjakovë, ku një 28-vjeçar po dyshohet se e ka sulmuar shoferin e një veture, derisa ishte në gjendje të dehur.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se bëhet fjalë për R.B., i cili është përfshirë në përleshje, teksa po kalonte rrugën, pasi viktima i dha përparësi. Papritmas, ai dyshohet se i ka shkuar viktimës deri te vetura dhe më pas e ka goditur.
Për të mos mbaruar me kaq, ai ia ka thyer edhe xhamin e veturës, duke pësuar vet lëndime trupore, për çka u dërgua për trajtim mjekësor në spital.
Pasi përfundoi trajtimin mjekësor, i dyshuari është arrestuar dhe më pas me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se ka kryer dy vepra penale “Sulm” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.

