I vodhi 45 mijë euro në shtëpinë e vet
Vjedhjet janë shndërruar në një shqetësim të madh për qytetarët në vendin tonë. Të dyshuarit, jo rrallëherë dalin të jenë të afërm e madje edhe anëtarë të familjes. Kështu ka ndodhur në një familje në Prizren, ku një person ka vjedhur në shtëpinë e vet, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se i dyshuar është një 28-vjeçar, i cili vodhi hiç më pak se 45 mijë euro nga babai i tij, të cilat i bëri ‘rrush e kumbulla’.
Rasti u denoncua nga pronari i shtëpisë dhe si rezultat, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, u zbulua se hajni që kreu vjedhjen është anëtar i familjes.
Policia e arrestoi dhe shoqëroi në stacion të dyshuarin, ku u intervistua lidhur me rastin.
Mësohet se ndër të tjera i dyshuari ka deklaruar se paratë që i mori në shtëpi i ka shpenzuar për ‘punë të veta’.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Vjedhje e rëndë”.

