‘Ia ka futur në xhep 50 euro’- Deklarimi në gjykatë i të dyshuarëve për manipulim me vota

Në mesin e 109 personave të arrestuar për manipulim me vota, gjatë një operacioni të gjerë policor, më 23.01.2026 ishte edhe Granit Paçarizi, i njohur për organet e drejtësisë.

Paçarizi dyshohet se, në cilësinë e vëzhguesit në Qendrën Komunale të Numërimit dhe Rezultateve në Prizren, ka kryer veprat penale: dhënia e ryshfetit dhe kanosje.

Granit Paçarizi është nipi i Fetah Paçarizit, kandidatit për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilit dyshohet se iu shtuan mijëra vota gjatë numërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën më 28.12.2025.

KALLXO.com ka siguruar vendimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit për caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh. Aty sqarohen veprimet e Granit Paçarizit në cilësinë e vëzhguesit në Qendrën Komunale të Numërimit dhe Rezultateve në Prizren, nga data 29.12.2025 deri më 02.01.2026.

“… në cilësi të Kryesueses së Komisionit për Numërimin e Votave të kandidatëve për deputet, i pandehuri i thotë të dëmtuarës se kur fillon numërimi i votave të kandidatëve të subjektit politik PDK, të dalë jashtë derisa të lexohen votat e këtij subjekti politik, të cilën gjë e dëmtuara nuk ka pranuar dhe i ka thënë: ‘Çka po doni prej meje? A me lan punën këtu unë a?’, ndërsa i pandehuri i është përgjigjur: ‘Po shko në shtëpi’” – thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Pas kësaj, në vendimin e Gjykatës për caktim të paraburgimit, thuhet se e njëjta, nga frika, ka dhënë dorëheqje.

“Nga veprimi i të pandehurit, e dëmtuara, nga frika që mund t’i ndodhë ndonjë e keqe, njofton përfaqësuesin e subjektit politik të cilës i takonte se jep dorëheqje nga funksioni që ka pasur, dhe ditën e nesërme nuk paraqitet më në QNR. Me këto veprime, e dëmtuara ka pësuar ankth, frikë dhe shqetësim emocional për jetën e saj”.

Caktimin e masës së paraburgimit, avokati i të pandehurit Granit Paçarizi, Valon Kabashi, e kishte kundërshtuar në tërësi, me arsyetim se nuk ishin plotësuar kushtet elementare që ndaj klientit të tij të caktohej kjo masë.

“Sa i përket veprës penale të kanosjes, në përshkrimin faktik sipas dispozitivit për kundër të pandehurit, bëhet fjalë se janë përdorur shprehjet si ‘dil përjashta’, ‘shko në shtëpi’, të cilat nuk konsistojnë me elementet e veprës penale të kanosjes, pasi kjo vepër parasheh një kanosje serioze, e cila ka për qëllim shkaktimin e një të keqeje personit të cilit i drejtohet. Po ashtu, i pandehuri nuk e ka kanosur të dëmtuarën; është e vërtetë që ajo është larguar në ditën e zgjedhjeve, por kjo ka ndodhur sepse e njëjta kishte fëmijën e sëmurë dhe kishte kërkuar personalisht leje nga kryesuesi i saj”- citohet të ketë thënë Kabashi në seancën për caktimin e masës së paraburgimit.

I pandehuri Granit Paçarizi sipas dosjes që ka siguruar KALLXO.com, është pajtuar me fjalët e avokatit të tij dhe nga gjykata kishte kërkuar që të caktohej një masë alternative, e cila nuk do të pengonte atë në menaxhimin e biznesit, prej të cilit varet mirëqenia e familjes së tij.

Granit Paçarizi dyshohet edhe për dhënie të ryshfetit. Sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com, ai i ka dhënë kryesueses së Komisionit për Numërimin e Votave një shumë prej 50 eurosh për ta lejuar përdorimin e llogarisë së saj për evidentimin e votave:

“Me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejt, i jep dhuratë të paarsyeshme personit zyrtar Alkete Vorfi, kryesuese e Komisionit për Numërimin e Votave të kandidatëve për deputet, që ajo të mos veprojë në pajtim me detyrën e saj zyrtare, në atë mënyrë që e njëjta ka lejuar që i pandehuri të evidentojë një numër të madh votash në sistem nga user-i i saj dhe për këtë, më datë 01.01.2026, rreth orës 22:00, derisa e njëjta ka qenë duke dalë jashtë objektit të QNR-së, i pandehuri i jep asaj shumën prej 50 eurosh, të cilat ajo pranon, duke kryer kështu veprën penale dhënie e ryshfetit.” – thuhet në vendim.

Ndërkaq, Alketë Vorfi dyshohet përveç për veprën penale falsifikim i rezultatit të votave, edhe për marrje ryshfeti.

Mbrojtësi i të pandehurës, Hazër Susuri, kishte kundërshtuar kërkesën e prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit, duke argumentuar se deklarata e të pandehurës dhënë në Polici nuk ishte marrë parasysh.

“Nuk ka asnjë provë relevante se e pandehura e ka kryer këtë vepër penale, ngase në rastin konkret nuk është vlerësuar deklarata e të pandehurës dhënë më datë 23.01.2026, pranë zyrtarëve policorë lidhur me këtë dyshim për kryerjen e kësaj vepre penale, ku ka deklaruar se i pandehuri Granit Paçarizi ia ka futur në xhep 50 euro, të njëjtën ka tentuar ta kthejë por nuk ka mundur, dhe ditën e marrjes në pyetje, 50 euro i ka kthyer Policisë.” – citohet të këtë thënë Susuri.

Përveç Granit Paçarizit dhe Alketë Vorfit, në të njëjtin vendim të Gjykatës Themelore të Prizrenit përfshihen edhe 7 persona të tjerë: Durim Shala, Jetmir Hajdari, Sabrije Bytyçi, Ardian Lipoveci, Qendrim Krasniqi, Fatih Llallo dhe Muhamed Jakupi, të cilët dyshohen për falsifikim të rezultatit të votave.

Avokatët mbrojtës të të gjithë këtyre kishin kundërshtuar caktimin e masës së paraburgimit, kryesisht me arsyetimin se të pandehurit janë mbajtës të familjeve respektive.

(Arkiv/2017) Gjykimi i Granit Paçarizit | Foto: KALLXO.com