Ia theu gishtin për 50 euro borxh, aprovohet marrëveshja për pranim fajësie

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Gjilan, është aprovuar marrëveshja për pranimin e fajësisë e lidhur me Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe të akuzuarit për lëndim të rëndë trupor, M.A.

M.A ngarkohet se për shkak të një mosmarrëveshje rreth një borxhi prej 50 euro, i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore të dëmtuarit E.M., duke ia thyer gishtin në mënyrë të dhunshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari i vetëm gjykues Sahit Boroci, tha se janë plotësuar të gjitha kushtet e parapara me nenin 233, pika 18 të KPP-së, konform nenit 233, pika 21 të KPP-së, për aprovimin e marrëveshjes për pranim fajësie.

Në këto rrethana, gjyqtari Boroci mori aktvenndim, me të cilin aprovoi marrëveshjen për pranim fajësie, e marrë më 10 shkurt 2021.

Kjo pasi, paraprakisht njoftoi palët se më 10 shkurt 2021, kishte arritur në gjykatë marrëveshja për pranim fajësie e lidhur me Prokurorisë dhe mbrojtjes së të akuzuarit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, thuhet se më 6 nëntor 2020, rreth orës 20:30, në Gjilan, në rrugën ”Lidhja e Prizrenit” i pandehuri Metin Arifi, pas një mosmarrëveshje rreth një borxhi prej 50 euro, i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore të dëmtuarit Egzon Mulakut.

Aktakuza thotë që derisa të njëjtit kanë qenë duke biseduar mes vete pandehuri për një moment bëhet agresiv duke ia kapë gishtin tregues të dorës së djathtë të dëmtuarit dhe thotë “se ta thyej gishtin për 50 euro” dhe ia thyen në mënyrë të dhunshme, ku i shkakton lëndime të rënda trupore, i cili si pasojë e lëndimeve detyrohet të kërkojë ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilan, sipas raportit mjekësor të 6 nëntorit 2020.