Ibrahim Shabani, intelektuali i cili iku nga kjo jetë bashkë me vjeshtën e këtij viti, ishte një thesar i dijes dhe urtësisë
Ibrahim Shabani, i cili iku nga kjo jetë bashkë me vjeshtën e këtij viti (22 dhjetor), në moshën 93-vjeçare, ishte një profesor dhe intelektual i njohur nga Përlepnica e Gjilanit, shkruan Mediafokus.info
Shkollimin fillor, katër klasash, Ibrahimi e kreu në vendlindje, pro gjimnazin në Prizren, kurse Normalen – në Prishtinë. Fakultetin Filologjik, Dega e Albanologjisë e kreu në Beograd.
Në vitin 1953 filloi punën si arsimtar i gjuhës shqipe në Bresalc të Gjilanit, për të vijuar tutje si arsimtar dhe drejtor shkolle në Zhegër (1955-1959).
Në të njëjtën detyrë vazhdoi edhe në Përlepnicë, fshatin e tij të lindjes, si dhe në shkollën e mesme ekonomike në Gjilan.
Në vitet pasuese, Ibrahimi punoi në shkollën normale ‘Skënderbeu’ në Gjilan (1963-1969), pastaj drejtor i Bibliotekës Amë dhe i Qendrës për Arsim e Kulturë në Gjilan (1969-1979).
Prej vitit 1979 e deri në vitin 1984 ishte drejtor i Entit Regjional Arsimor-Pedagogjik në Gjilan, kur u shkarkua nga kjo pozitë për shkak të ‘papërshtatshmërisë’ politike dhe u lejua të punojë aty si këshilltar pedagogjik.
Në vitin 1991 u përjashtua nga puna në Entin Arsimor-Pedagogjik. Po këtë vit shkoi në pension të parakohshëm.
Gjatë gjithë karrierës së tij, si një intelektual i mirëfilltë, Ibrahim Shabani spikati me përkushtimin ndaj gjuhës shqipe, arsimit në gjuhën shqipe dhe çështjes kombëtare, për çka u respektua dhe vazhdon të respektohet nga populli.
Ibrahim Shabani ishte dhe mbetet ndër personalitetet që ka lënë gjurmë të thella në fushën e arsimit dhe të kulturës, në mjedisin tonë dhe jo vetëm.
Ai është themelues i Teatrit të Gjilanit. Sa ishte drejtor i Qendrës për Kulturë punësoi 7 aktorë. Arritjet e Teatrit të Gjilanit, janë meritë e tij.
Ikja e tij ka lënë një boshllëk të madh, jo vetëm te familja, por te të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe të mësojnë urtinë nga një njeri i mirë si ai.
Ai ishte profesor jo vetëm me titull, po me shpirt e me zemër, një intelektual i rrallë, i ditur dhe i mençur.
Dijen e tij, Ibrahimi nuk e mbajti kurrë për vete, por e ndau bujarisht me nxënës, miq e bashkëpunëtorë.
Nuk u zmbraps kurrë përballë të së vërtetës dhe drejtësisë.
I urtë në gjykim, i butë në fjalë, i vendosur në qëndrime dhe zemërgjerë në veprime, ai ishte shembull njeriu dhe mësuesi.
Ai dinte të dëgjonte, të këshillonte dhe të udhëhiqte pa imponim, me mençuri dhe respekt./Mediafokus

