Ibrahimovic rrëfehet për gjithçka; Messi në MLS, mungesa e Champions-it, Barcelona, bastet në Itali…
Suedezi vazhdon të shkëlqejë kudo që shkon. Zlatan Ibrahimovic ishte një nga yjet e “Gazzetta dello Sport”, më saktësisht i “Festival dello Sport”, në fundjavë. Ish-lojtari i Milanit, Barcelonës dhe PSG-së, tashmë në “pension”, ka folur për gjithçka para gazetarit Luigi Garlando.
Ibrahimovic si fëmijë: “Kam shkaktuar shumë telashe, si të gjithë fëmijët. Unë kam qenë gjithmonë duke luajtur futboll. Kam qenë gjithmonë me topin, kudo që shkoja e mbaja me vete dhe luaja futboll, edhe pse të gjithë më thonin se nuk kisha talent. Në fakt futbolli ishte energjia ime, adrenalina ime. Pastaj bëra edhe gjëra që nuk mund të bëhen, por mësova dhe u rrita”.
Sëmundja e Raiolës, agjentit dhe mikut të tij: “Kam qenë pothuajse çdo ditë me Minon në fazën e tij të fundit të jetës. Nuk ishte e lehtë, kur shikon një person në vështirësi. Kishte shumë emocione. Doja t’ia hiqja mendimin e vazhdueshëm gjatë sëmundjes. I jepja energji dhe pozitivitet në vend që të fliste për sëmundjen e tij.
Ai gjithmonë mendonte për të tjerët dhe jo për veten. Ai ishte gjithmonë pas lojtarëve që menaxhonte, gjithmonë ata në fillim dhe më pas vetë. Kështu ka qenë edhe muajt e fundit të jetës. Më vuri para të gjithëve, edhe vetes. Më tha të merresha me atë që më bënte të lumtur. Ishte shumë i fortë”.
Titujt me Juventusin: “Janë 38, jo 36. Sepse ne luftuam çdo ditë gjatë të gjitha ndeshjeve dhe bëmë gjithçka në fushë. Kush ishte në atë ekip e di se çfarë bëmë; treguam se ishim më të fortët në Itali. Prandaj unë them se Juventusi ka 38 tituj”.
Balotelli: “Ka pasur shumë mundësi, nuk ka shfrytëzuar asnjë. Ka shumë që duan të kenë vetëm një mundësi, ai i ka humbur të gjitha mundësitë që ka pasur”.
Barcelona: “Isha me fat që fitova trofe, që nuk i kisha fituar më parë. Ishte një ëndërr të shkoja te Barcelona, të gjithë flisnin për të. Mendova që nëse mund të luaja atje, do të isha në ekipin më të mirë në botë. Kur më thirri Barça isha i emocionuar, kisha dhënë më të mirën time tek Interi.
Doja të rritesha edhe më shumë dhe të provoja sfida të tjera për të kuptuar veten dhe për të provuar veten. Në gjashtë muajt e parë në Barcelonë bëra mirë, në gjashtë muajt e fundit mënyra ime e të menduarit ndryshoi. Në fushë nuk bëra shumë, por në kokën time u bëra më i fortë. Duhet të kalosh periudha të vështira për t’u bërë më i fortë”.
Mos fitimi i Champions League: “Barça ishte shumë e fortë dhe dominuese, të paktën arritëm në gjysmëfinale. Ajo ishte mundësia ime më e madhe. Por të gjitha klubet për të cilat kam luajtur mund ta kishin fituar Ligën e Kampionëve”.
Messi në MLS: “Jam i lumtur për të, atje mund të shikojnë përsëri futboll. Kur u largova unë nga MLS, atje panë bejsboll”.
Tonali dhe bastet: “Unë di pak për këtë histori. Nuk kam ditur kurrë asgjë për këtë, nuk e kam parë kurrë në vështirësi, as duke vuajtur. Nuk e di nëse është i sëmurë nga bixhozi. Nëse po, duhet ndihmuar, sepse bixhozi është si droga, transmeton noa.
Nëse ai ka shkuar në kazino, nuk ka asnjë problem. Kam shkuar edhe unë në kazino. Pastaj, nëse ka vënë baste për futbollin profesionist, kjo është një histori tjetër”.

