Sipas analizave që kanë kryer gjatë ditëve të fundit, vlerat e nivelit të Manganit në ujin e këtij liqeni janë ulur, por ende janë mbi normat e lejuara sipas Udhëzimit Administrativ numër 10/2021, për cilësinë e ujit të destinuar për pije.

Sipas këtij udhëzimi, norma e lejuar për Mangan në ujin për pije është 0.05 mg/L.

“IKSHPK thekson se ndotja e ujit me Mangan është ndotje kimike dhe se me vlimin e ujit, Mangani nuk eliminohet, siç duhet të veprohet te rastet me ndotje bakteriologjike të ujit. Prandaj, për momentin [uji] është i papërdorshëm për pije”, thuhet në njoftimin e IKShPK-së.

IKSHPK ka shtuar se ekipet e tyre do të vazhdojnë ta monitorojnë ujin e pijes në liqenin e Badocit edhe gjatë ditëve në vijim, ndërkohë që është në bashkëpunim të vazhdueshëm me KRU “Prishtina” për stabilizimin e gjendjes së krijuar si pasojë e “fenomenit” të Manganit në ujin e pijes.

Kanë kaluar tashmë dhjetë ditë nga njoftimi i IKSHPK-së se vlerat e metalit të Manganit në liqenin e Badocit janë rritur sërish dhe se ky ujë nuk duhet të përdoret për pije apo përgatitje ushqimore.