Imami Agim Hyseni i heq dilemat: Ramazani do të mbahet, pavarësisht pandemisë
Ramazani do të mbahet, mund të mungojë vetëm atmosfera që sjellë ky muaj i madhërishëm, për shkak të pandemisë, thotë për mediafokus.info, imami Agim Hyseni, duke i hequr dilemat që kanë ngritur së fundi disa teologë botërorë, për mundësinë e shtyrjes së agjërimit.
Për arsye teologjike, muaji i shenjtë i Ramazani nuk mund të anulohet as në kohërat e pandemisë vdekjeprurëse.
“Agjërimi është adhurim individual dhe si i tillë nuk dëmton shëndetin e individit. Vetëm personi i sëmurë, sipas sheriatit lirohet përkohësisht dhe mund të agjërojë më vonë, kur shëndeti i tij të jetë përmirësuar”, thotë Hyseni për mediafokus.info
Për më tepër imami Hyseni shprehet se agjërimi i muajit të Ramazanit nuk e rrezikon shëndetin publik, sepse është adhurim individual.
Ai ka një përgjigje edhe për faljen e kohëve të namazit dhe teravive në kohën kur kjo nuk është e mundur të bëhet nëpër xhami, sikur tani, duke thënë se falja mund të bëhet në shtëpi, sikur një namaz tjetër i ditës.
“Kuptohet që atmosfera e faljes së namazeve me xhemat dhe faljes së namazeve në shtëpi nuk është e njëjtë, mirëpo në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme, siç është gjendja e pandemisë, por ne shpresojmë se shpërblimet do të jenë të njëjta, sikur të jemi falur me xhemat në xhami”, thotë enkas për mediafokus.info imami i njohur kosovar nga Gjilani, Agim Hyseni.
Universiteti Al-Azhar në Kajro, i cili pretendon titullin e autoritetit më të lartë mësimor Sunit, beson se agjërimi në këtë situatë unike thjesht mund të kryhet më vonë nga shumica e besimtarëve.
Khaled Omran, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit u shpreh: “Besimtarët mund të bëjnë lutje pas krizës.”
Imami Hyseni nuk pajtohet me këto mendime dhe kundërpërgjigjet duke thënë se agjërim do të ketë, vetëm atmosfera e muajit Ramazan mund të mos ndihet si gjithmonë për shkak të kushteve që ka imponuar pandemia.
Muaji i shenjtë i agjërimit për myslimanet, fillon në 24 prill./mediafokus.info

