Imami që u gjobit dje, sot ka shprehur mirëkuptim për policinë e Kosovës

Imami i fshatit Roganë, komuna e Kamenicës, Besir Kryeziu, i cili u gjobit dje për mos respektim të masave anti-Covid në xhami, sot ka shprehur mirëkuptim për policinë e Kosovës, duke e cilësuar ngjarjen ‘rast të izoluar’.

Ky është postimi i plotë i tij:

Të nderuar qytetarë, vëllezer dhe motra.

Fillimisht, dua t’ua bëj me dije që, Policia e Kosovës është e jona, dhe ne i duam ata pa masë. Ata janë mbrojtësit e rendit juridik kushtetues dhe e sigurisë tanë në çdo vend të shtetit tonë.

Natyrisht që Policia e Kosovës ka mënyrat e veta se si funksionon, dhe ne këtë e respektojmë. Për parregullsinë qe ka ndodhur dje në fshatin Roganë, mendoj se është rast i izoluar, e asesi nuk duhet ta përfshijmë tërë Policinë e Kosoves.

Fatkeqësisht, ne imamët nuk kemi mundësi që t’i ruajmë objektet e xhamive gjatë gjithë kohës.

Ne jemi punëtorë të Bashkësisë Islame, dhe gjithmonë punojmë sipas rregullores së saj.

Unë dua t’i falënderoj bashkëfshatarët e mi për përkrahjen morale, të gjithë ata telefonues nga e gjithë Kosova dhe diaspora.

Ishin të shumtë ata që ofruan ndihmë materiale për ta paguar këtë denim, por nuk pranuam asnjë ndihmë financiare.

Të gjithë i falënderoj nga zemra.

Nuk është se dënimi është i pa pranushem e i pa përballueshëm për mua. Pakënaqësia ime qëndron tek mënyra e trajtimit të kësaj situate. Sidomos kur dihet që imamët e shtetit tonë, kanë qenë ata që më së shumti i kanë respektuar masat mbrojtëse kundër pandemisë Covid-19.

Me shpresën që të mos përsëriten më raste të tilla, uroj që në këto ditë pranë muajit të shenjtë të ramazanit, të mbushemi me dashuri dhe respekt ndaj njëri-tjetrit!

Ju faleminderit të gjithëve!