Indeksi i Paqes: Maqedonia e Veriut e para, Kosova e fundit në rajon
Bota po bëhet gjithnjë e më pak paqësore dhe më pak e sigurt. Ky është konludimi që mund të nxirret pas publikimit të Indeksit Global të Paqes për vitin 2022, pasi sërish, për të 11-tën herë në 14 vitet e fundit, konstatohet rënie globale e paqes dhe е sigurisë.
Sipas të dhënave nga raporti i sivjetëm, edhe përkundër luftës në Ukrainë, Evropa mbetet rajoni më paqësor në botë, me 7 nga 10 vendet më paqësore që vijnë nga kontinenti evropian.
Megjithatë, Ballkani vazhdon të jetë rajoni më pak paqësor brenda Evropës.
Serbia shënon rënien më të madhe në rajon
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut cilësohet si më e sigurta, me radhitje në vendin e 36-të globalisht.
Krahasuar me vitin e kaluar, Maqedonia e Veriut ka shënuar përmirësim me 4 pozita, ndërsa është rritur për 97 pozita që nga viti 2017 në renditjen globale.
Edhe Shqipëria ngjitet për 3 pozita për paqen dhe sigurinë e saj, duke u radhitur e 41-ta në botë dhe e dyta në rajon.
Mali i Zi mban pozitën e 48-të në renditjen botërore, identikisht sikurse vitin e kaluar.
Serbia nga ana tjetër shënon rënien më të madhe në rajon.
Në renditjen e re të Indeksit Global të Paqes, Serbia radhitet e 52-ta në botë, duke shënuar rënie prej 5 vendeve në krahasim me vitin e kaluar.
Rënie prej një pozite ka shënuar edhe Bosnjë e Hercegovina, e cila tashmë radhitet në vendin e 58-të në botë.
Kosova edhe pse është përmirësuar për 8 pozita, me rritjen më të madhe në rajon, mbetet më pak e sigurta në Ballkanin Perëndimor.
Ajo radhitet në vendin e 71-të globalisht në raportin më të ri.
Çështja e veriut të Kosovës dhe marrëdhëniet e tensionuara me Serbinë janë faktorët kryesorë për radhitjen e tillë. /trtballkan/

