Iniciohet procedurë disiplinore ndaj prokurores në rastin e dhunimit të 15-vjeçares
Prokuroria Themelore në Pejë, ka iniciuar procedurën disiplinore ndaj prokurores Lirije Morina, e cila ka përfaqësuar lëndën e dhunimit të 15-vjeçares.
Kjo masë u mor një ditë pas kërkesës së Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, drejtuar Kryeprokurorit të Pejës, Agim Kurmehaj, që të rishyrtojë lëndën e prokurores Lirije Morina, lidhur me dhunimin e 15-vjeçares në Gjakovë.
“Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinionin publik lidhur me çështjen penale PP.nr.68/12, për veprën penale “Dhunimi”, nga neni 193, paragrafi 3 i KPK-së, se Kryeprokurori i kësaj prokurorie, Agim Kurmehaj, pas analizimit të gjitha shkresave të lëndës, konform Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, sipas detyrës zyrtare, ka iniciuar procedurën disiplinore ndaj prokurores, e cila ka përfaqësuar këtë lëndë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Pejës.
Prokurorja Lirije Morina ishte pajtuar me dënimin e shqiptuar nga gjyqtarja e Gjykatës Themelore të Pejës, Florije Zatriqi, prej vetëm 8 muaj e 8 ditë ndaj dhunuesit të së miturës.

