Inspektori i ndërtimit dënohet me burgim dhe gjobë
Gjykata Themelore në Prizren e ka shpallur fajtor inspektorin e ndërtimit, N.M., për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe e ka dënuar me 10 muaj burgim si dhe me 21 mijë euro gjobë, për shkak se nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për disa investitorë në vitet 2016-2017.
Në periudhën kohore prej vitit 2016-2017 në Prizren në cilësinë e personit zyrtar – inspektor komunal i ndërtimit në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin, respektivisht investitorët “………..” me pronar N.K., dhe investitorin “…….” me pronar S.V., në atë mënyrë që nuk ndërmerr konkluzion për rrënimin e katit të tetë (8) të kompleksit ndërtimor në lagjen Jeta e Re, i cili objekt ka pasur leje për ndërtimin P+B+7 dhe ka ndërtuar një kat pa leje P+B+8, gjithashtu i akuzuari N.M., ka mundësuar që në objektin e banimit kolektiv në Prizren ndërtimin edhe të tre (3) kateve shtesë pa leje, ku leja e ndërtimit ka qenë B+P+2 ndërsa është ndërtuar B+P+5, me ç’ rast investitorëve iu mundësohet dobi një (1) kat në rastin I dhe tre (3) kate në etazhitet të objektit në rastin II”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
N.M. është dënuar me burgim me kohëzgjatje prej 10 muajve, ndërkaq obligohet që Komunës së Prizrenit të ia kompensojë dëmin në shumën prej 21 mijë euro. Po ashtu atij i ndalohet ushtrimi i funksionit në administratën publike në afat prej 2 viteve.
“Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarin e GJYKON: – Të akuzuarën N.M., me dënim me BURGIM në kohëzgjatje prej 10 (dhjetë) muajve. – OBLIGOHET i akuzuari N.M., që Komunës së Prizrenit të ia kompensojë dëmin e shkaktuar për dy objektet në shumën prej 21,551,85 euro. – Të akuzuarit N.M., i ndalohet ushtrimi i funksionit në administratën publike në afat prej dy (2) viteve. Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar. Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

