Institucionet kosovare kanë zgjedhur të bëjnë sehir përballë problemit të keqpërdorimit të substancave narkotike

Vana Jerliu Ramadani 

Para disa ditësh, përmes një letre të hapur, që më ishte adresuar mua si psikologe, një nanë, një grua, një qytetare e Kosovës mori guximin të shkruaj për gjendjen e vajzës së saj, e cila po kalon nëpër një periudhë të vështirë nga keqpërdorimi i substancave narkotike.

Që nga ajo ditë kam menduar shumë për letrën e kësaj nane, të cilën e kam lexuar disa herë, duke menduar se, përpos meje, në fakt kujt i drejtohej autorja, çfarë saktësisht shpjegonte dhe sa e rëndësishme ishte ajo letër për publikun, në lidhje me një temë që është shumë e ndjeshme dhe shumë e rëndësishme në shoqëri.

Të them të drejtën nuk është rasti i parë që kam lexuar e dëgjuar se çfarë do të thotë të jesh prind i një fëmije që është duke kaluar në një periudhë të vështirë, si rasti i vajzës së autores së letrës.

Kam qenë dëshmitare e rrëfimeve të shumë prindërve lidhur me problemet e tilla dhe nga ata prindër kam kuptuar se të gjithë njësoj, pavarësisht profesioneve të ndryshme, si p.sh. punëtorë të zellshëm që kanë punuar me shumë mund për të mbajtur familjen, mësimdhënës, punëtorë në shëndetësi, politikanë, njerëz të biznesit, etj, pothuajse të gjithë kanë përjetuar të njëjtën ndjenjë kur kanë kuptuar se fëmijët e tyre kanë probleme me keqpërdorimin e substancave narkotike.

Më kujtohet rrëfimi i një prindi që kur kishte kuptuar të vërtetën për fëmijën e vet, iu kishte dukur sikur dikush e kishte goditur në bark aq fort saqë nga ai moment kurrë më nuk ishte ndjerë mirë. Një tjetër kishte ndjerë shtrëngim në zemër dhe kurrë më zemra e tij nuk e kishte gjetur qetësinë. E përbashkëta e të gjithëve, ishte pyetja: Pse më ndodhi mua kjo, si ka mundësi?

Letra e nanës sigurisht se përcjell disa mesazhe të forta te publiku dhe shpresoj se audienca ka pasur kohë të kuptojë mesazhin e saj. Personalisht e kam lexuar disa herë, sepse kam respektuar kurajën, guximin, dashurinë e një nane që pavarësisht vështirësive dhe sfidave, të mos dorëzohet kurrë në luftën për fëmijën e saj.

Në fakt, prindërit bëjnë luftë çdo ditë për të mirën e fëmijëve të tyre. Por lufta e çdo prindi për të mirën e fëmijëve të tij dallon nga njëri te tjetri.

Jemi ndryshe nga njëri tjetri, funksionojmë ndryshe nga të tjerët, por më e rëndësishmja është se të gjithë jemi qenie njerëzore dhe të gjithë posedojmë ndjenja, por jo të gjithë kanë fatin të mos ballafaqohen me situata të vështira dhe nuk është e lehtë kur gjërat vështirësohen në jetën e përditshme.

Shoqëria e Kosovës duhet të informohet më shumë për stigmën kundër personave që kanë probleme më keqpërdorimin e substancave narkotike.

Më ka pëlqyer pjesa e letrës ku autorja tregon se vajza e saj që ka nevojë për ndihmë, është fëmijë i mirë, është e dashur, është një qytetare e zakonshme kosovare. Sikur një pacient me diabet që ka nevojë për ndihmë e për trajtim, ashtu edhe ajo ka nevojë për ndihmë dhe trajtim të duhur.

Përpos vetëdijesimit më shume kundër stigmës, institucionet shëndetësore të Kosovës kanë nevojë për një program të mirë dhe të duhur për trajtimin e personave që kanë probleme me keqpërdorimin e substancave narkotike.

Pra duhet të punohet më shumë me programe dhe vazhdimisht duke i përditësuar ato, paralel me ndryshimet dhe nevojat që ka shoqëria jonë. Po ashtu në institucionet ligjore është e domosdoshme të ketë ekspertë të kësaj problematike dhe që dinë t`i trajtojnë situatat në mënyrë të duhur, sepse rastet e tilla, zakonisht kanë nevojë për trajtim e jo dënim.

Njashtu në qendrat e punëve sociale duhet të ketë ekspertë që dinë të ballafaqohen me këto raste dhe të jenë vendi i  duhur për t`u drejtuar personat që kanë nevojë për ndihmë.

Unë personalisht jam munduar të ngreh zërin dhe të ofrojë kontributin tim profesional për këtë problem në Kosovë, por jam e dëshpëruar sepse nuk kam marrë përkrahje nga qeveria e Kosovës.

Para pandemisë, unë së bashku me një ekip ekspertësh të kësaj fushe kishim krijuar dy projekte  që donim t`i realizonim në Kosovë: Parandalimi i mbidozimit me problem në rritje të opioideve dhe detoksimi tek rikuperimi afatgjatë, prezantime për ofruesit e trajtimit.

Kemi kontaktuar qeverinë e Kosovës duke ua dërguar të gjitha informatat e projekteve dhe kredencialet tona, por nuk kemi marrë përkrahje që t`i realizojmë këto projekte edhe pse kishim vullnetin të ndihmonim për të mirën e shoqërisë së Kosovës.

Unë nuk do të dorëzohem, përkundrazi do të vazhdoj të ngreh zërin për këtë çështje, sepse ky nuk është një problem vetëm i personave dhe familjeve që ballafaqohen me të, por është edhe problem i qeverisë së Kosovës dhe shoqërisë së saj.

Vullneti im është që në të ardhmen të sjell projekte nga SHBA në Kosovë, për të mirën e shoqërisë dhe me përkrahjen e qeverisë së Kosovës t`i ofrojmë këto përvoja për shoqërinë kosovare.

……………………………….

(Autorja është Magjistre e Studimeve të Varësive, Shëndeti Mendor dhe Magjistër e Drejtësisë Penale në SHBA)