Integrimi Europian
Enris Qinami
Pikë se pari termi ‘integrimi europian’ ështe i gabur sepse shqiptarët nuk po kërkojnë të integrohen aty ku janë prej mijëra vjetësh, pra në Europë (parë si entitet gjeografik dhe kulturor), por në Bashkimin Europian.
Thënë këtë, duhet kuptuar se integrimi nuk është një proces i njëanshëm por i ndërsjelltë. Po aq sa një individ ose një komunitet intergrohet në një sistem të caktuar, duke thithur e përvetsuar elementë të tij, po aq ky sistem përfiton nga identitetet e të sapo ardhurit dhe i përfshin ato në një qasje të re, më globale.
Pra integrimi nuk është asesi asimilim!
Integrimi më shumë shpreh një dinamikë të shkëmbimit, në të cilën të gjithë pajtohen të jenë pjesë e një tërësie, ku aderimi në rregullat operative dhe vlerat e shoqërisë pritëse, si dhe respektimi i asaj që e bën unitetin dhe integritetin e komunitetit nuk do të thotë se nuk ruhen veçoritë e dallimeve midis popujve, përkundrazi ato stimulohen e vlerësohen si pasuri.
Para se të kërkojmë të integrohemi në një sistem të caktuar duhet të intergrohemi tek vetvetja, duke pasur një qasje më cilësore ndaj kulturës, gjuhës, zakoneve, traditave e gjithshkaje që përbën trashëgiminë e kombit tonë.

