IPK ka njoftuar se pas disa veprimeve hetimore, duke përfshirë edhe hetimin me masa të fshehta, i dyshuari, i cili është hetues në Stacionin Policor në Obiliq, u arrestua në flagrancë.

“Hetuesit e IPK-së kishin filluar kohë më parë hetimet për këtë rast me autorizim dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë – Departamentin e Krimeve të Rënda”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Zyrtari policor, sipas IPK-së dyshohet se ka pranuar 1 mijë euro për të interferuar në hetimet e një rasti penal.

“Hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”.

Me vendim të prokurorit kompetent të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.