IPK rekomandon suspendimin e një togeri policor, Sindikata distancohet nga ai

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar sot suspendimin e një togeri policor, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”. Ndërkohë edhe Sindikata ka dalë me një komunikatë ku distancohet nga veprimet e tij.

Vepra dyshohet se është kryer në zyret e Sindikatës së Policisë së Kosovës.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve përmes Linjës së Kaltër (numrit të telefonit pa pagesë 080003333) ka pranuar sot një informacion nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimet se nga një toger policor është kryer vepra penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”. Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se është kryer vepra penale respektivisht në zyrat e Sindikatës së Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Tutje, njoftohet se prokuroria së bashku me policinë tashmë kanë nisur hetimet për rastin.

“Zyrtarët e IPK-së  kanë kontaktuar me Prokurorin kompetent duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore së bashku edhe me njësi relevante të Policisë së Kosovës. Në kuadër të veprimeve hetimore është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes si dhe është konfiskuar një telefon mobil i cili pritet të dërgohet për ekzaminim të mëtutjeshëm forenzik. IPK pas veprimeve fillestare hetimore ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit të dyshuar”, thuhet në njoftim.

Sindikata e Policisë distancohet nga kryetari i suspenduar

Me rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës është suspenduar kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës (SPK), Imer Zeqiri, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “fotografim dhe incizime të tjera të paautorizuara”.

Kjo u bërë e ditur nga vetë sindikata, ku në njoftim thuhet se Këshilli Drejtues i SPK-së kanë bërë të ditur se distancohen nga çdo veprim kundërligjor, të kujtdo qofshin.

“Sot me datë 10.05.2024, Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë se Kosovës me shqetësim ka ndjekur zhvillimet rreth përfshirjes se njërit nga anëtarët e Kryesisë Ekzekutive të SPK-së, respektivisht kryetarit te SPK-së në veprime të kundërligjshme, ku me rekomandim të IPK-së edhe është suspenduar kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës zt. Imer Zeqiri, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale Fotografim dhe incizime tjerat te paautorizuara nga neni 202 i KPRK-së.

Këshilli Drejtues i SPK-së distancohet nga veprimet kundërligjore të kujtdo qofshin ato, duke premtuar angazhim të plotë dhe të vazhdueshëm në përmirësimin e kushteve te punës dhe ngritjen e mirëqenies se punonjësve të PK-së. Ditëve në vijim KD i SPK – së do të dalë me njoftim shtesë rreth zhvillimeve të fundit ne SPK”, thuhet në njoftim.