Isa Agushi: Fushata po mbaron, zgjedhja mbetet në duart tuaja
Isa Agushi, është kandidat për kryetar Komune në Gjilan nga BNA, një subjekt ky lokal që garon për herë të parë në zgjedhje.
Tani që kanë mbetur edhe tri ditë deri te 12 tetori, dita e votimit, Agushi iu është drejtuar qytetarëve me kërkesë për t`i dhënë besimin të udhëheq me Komunën në katër vitet e ardhshme.
Pas ditësh takimesh, ecjesh fshat më fshat, lagje më lagje, shtëpi më shtëpi – po i afrohemi fundit të kësaj fushate.
Kemi ardhur te dera juaj pa arrogancë, pa pushtet në xhep, pa premtime boshe. Kemi ardhur me zemër të hapur, me përulësi, e mbi të gjitha – me respekt për ju.
Sepse ju jeni ata që e mbani këtë vend gjallë, çdo ditë, në çdo cep të Komunës.
Kemi dëgjuar hallet tuaja. Nuk na keni kërkuar luks. Nuk keni bërë kërkesa të pamundura.
Keni kërkuar vetëm drejtësi. Ndershmëri. Kujdes. Dinjitet.
Dhe për këtë po ju them sot – me zë të qartë:
Ka ardhur koha që më 12 Tetor, të mos votojmë më ata që për mbi një dekadë na mashtruan, na lanë pas, e na përdorën vetëm për votë.
Ka ardhur koha të mos harrojmë sesi na injoruan, sesi e shkelën besimin tonë pas çdo zgjedhjeje.
Ka ardhur koha të mos mashtrohemi më nga fjalë të bukura, televizorë plot reklama e figura që duken vetëm në fushatë.
Sepse këtë herë, përballë jush nuk është një politikan i zakonshëm.
Këtë herë, përballë jush është një njeri i popullit, një luftëtar i lirisë, një njeri i provuar në betejë dhe në jetë.
Ky është Komandant Dardani – Isa Agushi.
Dhe ai nuk ka ardhur të kërkojë pushtet.
Ai ka ardhur të vazhdojë atë betim që e ka dhënë në ditët më të errëta të kësaj toke:
Që kurrë nuk do ta lë Komunën në duart e padrejtësisë.
Që kurrë nuk do t’ia kthejë shpinën popullit.
Që gjithmonë do të luftojë për të drejtën, për familjet e dëshmorëve, për invalidët, për të rinjtë, për bujqit, për ata që sot nuk kanë zë në këtë sistem që i nëpërkëmb.
Ky nuk është premtim elektoral.
Ky është zotim i një burri që nuk e njeh tradhtinë.
Ky është zëri i një komandanti që nuk i është frikësuar plumbave – e aq më pak do t’i frikësohet të vërtetës.
E vërteta është kjo:
• Ata që sot kërkojnë sërish votën, e kanë pasur rastin për gjithë këto vite.
• Dhe çfarë bënë? Mashtruan. Harruan. Vodhën. Ndërtuan për vete, jo për popullin.
• I shikonim nga larg, me luksin e tyre, me premtimet e rreme, me arrogancën e zakonshme.
• Nuk e njohën më popullin që i votoi. E shfrytëzuan.
Por këtë herë është ndryshe. Sepse më 12 Tetor, në atë fletë votimi, ju nuk do të keni vetëm një emër.
Ju do të keni mundësinë të ngrini zërin tuaj. Të hakmerreni me votë – jo për inat, por për drejtësi!
Sepse ai nuk ju ka mashtruar kurrë.
Nuk ju ka harruar kurrë.
Nuk ju ka parë si numra, por si njerëz të barabartë.
Sepse ai e ka provuar vetën para historisë, dhe tani është gati të përfaqësojë zërin tuaj në Kuvend, me dinjitet dhe pa frikë.
Kjo nuk është fundi i një fushate –
Kjo është fillimi i një epoke të re!
Epoka e njerëzve të ndershëm.
Epoka ku fjalën “përfaqësues i popullit” e mbushim me kuptim, jo me mashtrim.
Faleminderit secilit prej jush që na priti me nder.
Faleminderit për çdo fjalë, çdo sugjerim, çdo kritikë dhe për çdo shpresë që na e dhatë.
Për Komunën. Për drejtësinë. Për ju – për të gjithë ne.
BNA 184 ✅