Isa Mustafa: Liberalizimi është dashur të ndodh më 2016, por pengonin këta që janë tani në pushtet

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pati thënë më 2015, se më 2016 qytetarët do të lëvizin lirshëm në zonën Schengen

“Jemi të sigurt që në vitin 2016 qytetarët tanë do të udhëtojnë pa viza”, thoshte ai nga mbledhja e qeverisë.

Madje në një emision televiziv atëherë kryeministri e kishte cilësuar këtë si moment historik.

“Është një ditë mund të them pak e vonuar, por është një ditë shumë e merituar e qytetarëve të Kosovës”, thoshte Mustafa.

Por, nga këto deklarata kanë kaluar tetë vjet – dhe liberalizimi i vizave pritet të ndodh sot.

Tash ish-kryeministri Mustafa tregon pse liberalizimi nuk ka ndodh atëherë, dhe çfarë e ka penguar.

“Liberalizimi është dashur të ndodhë në vitin 2016, atëherë kur kemi qenë në prag të përmbushjes së të gjitha kritereve. Pengonin këta që janë tani në pushtet me kauzën e rrejshme të demarkacionit”, ka thënë Mustafa.

Ai tutje tha se qytetarët e kanë merituar këtë të drejtë që moti.

“…prandaj edhe pse me shumë vonesë i gëzohem përmbylljes së këtij procesi”, tha Mustafa për insajderin.

Kur pritet të nënshkruhet Akti ligjor për liberalizimin, dhe kush do të marrë pjesë nga Kosova?

Ndryshe, më 18 prill pritet të bëhet votimi i fundit për LIBERALIZIMIN e vizave të kosovarëve.

Kështu ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, zëdhënës i Parlamentit Europian, Ojamo Janne.

Se kështu do të ndodhë e thotë edhe faqja e Komitetit për Drejtësi dhe Liri Civile të Parlamentit Evropian (LIBE) në Twitter, aty ku ka publikuar agjendën për datat 17-20 prill.

Komiteti LIBE njofton se më 18 prill në planin e ditës do të jetë votimi i vizave për kosovarët, që parashihet të ndodh rreth orës 12:00-13:00, shkruan Gazeta Insajderi.

Ky votim do të ndodh pas atij që ndodhi në LIBE më 23 mars, ku u miratua përfundimisht liberalizmi i vizave për Kosovën.

Ndryshe, më 9 mars, Këshilli i Ministrave të BE-së ka votuar pro liberalizimit të vizave për kosovarët, shkruan Gazeta Insajderi.